Ka vijuar edhe ditën e djeshme përballja e Prokurorisë së Posaçme me fakte dhe të dhëna që dalin nga Bashkia e Kukësit, e cila prej disa ditësh është në valën e sulmeve të opinionit publik për shkak të një videoskandali seksual. Por ajo që ka mbetur si një mundësi për ta çuar në fund këtë hetim është fakti se nga ajo video u shënua edhe një akt tjetër që lidhet me afera korruptive. Sipas të dhënave, bëhet me dije se tenderi që i është propozuar gruas që është protagoniste e nxjerrjes së videoskandalit është parashtruar edhe në Këshillin Bashkiak.
Aty ka pasur përplasje të forta ku një anëtar këshilli ka kundërshtuar kryebashkiakun Safet Gjici. Po ashtu mësohet se ditën kur zyrtarë të qeverisë janë nisur në drejtim të Kukësit për të marrë pjesë në ceremoninë e betimit të Gjicit si kryebashkiaku i ri, kanë qarkulluar zëra se ai kishte një precedent që do të dilte shumë shpejt në qarkullim, por askush nuk ka menduar se bëhej fjalë për videoskandalin. Gruaja që filmoi momentet intime me ish-kryebashkiakun e Kukësit Safet Gjici, pritet të merret në mbrojtje nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe të kthehet në dëshmitaren kryesore të procesit penal që ka nisur në SPAK.
Prokuroria e Posaçme ka regjistruar dosjen për dy vepra penale si ajo e “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Korrupsionit pasiv i funksionarit publik” në këmbim të përfitimeve seksuale. 40-vjeçares i është bllokuar pasaporta, duke vendosur një masë të përkohshme të daljes së saj jashtë shtetit.
Po ashtu, grupi hetimor që po ndjek dosjen ka bllokuar dhe aparatin e telefonit, me qëllim ekzaminimin e bisedave të 40-vjeçares në rrjetet sociale dhe aplikacione të ndryshme që mund të ketë zhvilluar me persona të tretë për këtë çështje, shkruan Syri.net. E përveçse kanë marrë pamjet e kamerave të sigurisë në Bashki, agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë marrë në pyetje disa punonjës të bashkisë Kukës, të cilët kanë konfirmuar prezencën në ambientet e bashkisë, pikërisht në datën 6 qershor 2023.