Bashkimi Evropian ka publikuar axhendën e takimeve që do të mbahen sot në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë–Serbi. Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell fillimisht do ta presë në takim presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe më pas do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Nuk është njoftuar për takim trepalësh momentalisht. Po ashtu pas takimeve që do të kenë në Bruksel, Borrell do të dalë me një deklaratë për media.
“Takimi duhet të fillojë rreth orës 14:00. Do të fokusohet te gjetja e një mënyre për të shtensionuar sa më parë situatën e për t’u përqendruar te zbatimi i marrëveshjeve të arritura në dialog. Çfarë mund të them është se dy liderët do të jenë në Bruksel sot.
Nuk mund të komentoj dhe parashikoj se si do të ecin gjërat. Është mundësi e ofruar për dy liderët që të tregojnë gatishmëri për të qenë konstruktiv. Presim që ata të angazhohen në mënyrë konstruktive”, ka thënë zëdhënësja e BE-së, Nabila Massrali në konferencë për media.









