Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar në pasditen e së enjtes, në Bruksel, me përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Siç merr vesh Radio Evropa e Lirë, tani ka nisur takimi tjetër ndërmjet Borrellit dhe Lajçakut, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Për takimin me Kurtin, Borrell është deklaruar nëpërmjet një postimi në rrjetin social, Twitter.
“Situata në veri të Kosovës vazhdon të jetë shumë e tensionuar. Sot, ne synojmë të gjejmë zgjidhje për deeskalim të menjëhershëm dhe një rrugë përpara”, ka shkruar ai.
Më herët, Shërbimi i Jashtëm i Bashkimit Evropian tha se “përfaqësuesi i lartë, Josep Borrell, i shoqëruar nga i dërguari i posaçëm, Mirosllav Lajçak, do të kenë një seri takimesh për menaxhimin e krizave me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti”.
Takimet në Bruksel me gjasë do të jenë vetëm takime dypalëshe, mes bartësve të dialogut, Albin Kurti, dhe Aleksandar Vuçiç, me ndërmjetësit evropianë të dialogut.
Zëdhënësja e BE-së, Nabila Massrali, në një konferencë për shtyp të enjten nuk ka treguar saktësisht se a do të ketë apo jo takim trepalësh.
“Unë nuk kam thënë se nuk do të ketë takim mes tyre. Me rëndësi është se ata sot do të jenë në Bruksel, me ftesë të përfaqësuesit të lartë. Të shohim se si do të shkojnë takimet, e pastaj mund të dimë më shumë”, është përgjigjur Massrali, në pyetjen se a do të ketë pasoja për ata që refuzojnë të takohen.
“Diskutimet do të fokusohen në gjetjen e rrugëdaljes për uljen e tensioneve të tashme, në mënyrë që [palët] të kthehen në zbatimin e marrëveshjeve të dialogut, në veçanti të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit”, thuhet në njoftimin e BE-së./REL
Artikulli i plotë këtu.