Në vazhdën e operacioneve për siguri në plazhe, policia ka bllokuar 11 mjete lundruese përfshirë këtu 4 Jet Ski, 1 skaf, 1 gomone dhe 5 motovarka artizanale, pasi u konstatuan në paligjshmëri.
Gjithashtu policia bën me dije se drejtuesit e këtyre mjeteve lundurese u ndëshkuan me masa administrative që varionin nga 10 000 deri në 200 000 lekë të rinj.
Njoftimi i Policisë:
Monitorim intensiv i hapësirës detare, nga toka dhe deti, për të garantuar sigurinë e pushuesve.
-Nga Dhërmiu në liqenin e Komanit, bllokohen 11 mjete lundruese (4 Jet Ski, 1 skaf, 1 gomone dhe 5 motovarka artizanale), pasi u konstatuan në paligjshmëri. Drejtuesit e këtyre mjeteve lundurese u ndëshkuan me masa administrative që varionin nga 10 000 deri në 200 000 lekë të rinj.
-Në Durrës, kapiteni i një motopeshkarexhe libiane, u ndëshkua me masë administrative 300 000 lekë të rinj.
Monitorimi intensiv i hapësirës detare dhe kontrolli i mjeteve lundurese, vijojnë.
Shërbimet e Policisë Kufitare në të gjithë vendin, në zbatim të planit të masave për kontrollin e vazhdueshëm përgjatë vijës bregdetare, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë gjatë sezonit turistik, kanë vijuar monitorimin e zonave ku lëvizin mjetet lundruese, për verifikimin e zbatimit të ligjit dhe rregullave të lundrimit, si dhe për verifikimin e dokumentacionit që nevojitet për drejtimin e tyre.