Një biznes që do të marrë me qira një zyrë pranë Liqenit do të duhet të paguajë njësoj sikur ka marrë një hapësirë në Milano.
Stela Dhami, partnere drejtuese për Shqipërinë dhe Kosovën në “Colliers International” pohon se te ndërtimet e reja në zonën e Liqenit Artificial, çmimet e qirave për zyra arrijnë sa në Milano, në rreth 34 euro/m2/muaj.
Çmimet e qirave të zyrave në Tiranë vijojnë të mbeten më të lartat edhe në rajon, sipas Dhamit.
Ndonëse shtimi i ndërtimeve rrit ofertën dhe teorikisht duhet të ulte qiratë e zyrave, se çfarë do të ndodhë realisht është e vështirë për tu parashikuar, për shkak të nivelit të lartë të informalitetit.
Sipas analizës së “Colliers International” për vitin 2022, ndërtimi i 6 kullave dhe zhvillimi i Bulevardit të Ri do të ndikojnë drejtpërdrejt tek oferta, duke shtuar 120,000 metra katrorë hapësira të reja për zyra në afat të shkurtër dhe të mesëm, që do të arrijnë të plotësojnë stokun e zyrave shumë cilësore.
Në periudhë afatmesme, sipas raportit të “Colliers International”, rritja e konkurrencës mes pronarëve duhet të sjellë presion për rënie të çmimeve të qirave në Tiranë në nivelet rajonale.
Por agjentë të tjerë imobiliarë parashikojnë stanjacion të çmimeve të qirave për zyra edhe këtë vit. Rastet e uljes së çmimeve, sipas tyre, do të ndodhin vetëm nëpërmjet negociatave. Çmimet e larta të zyrave do të qëndrojnë të pandryshuara, për shkak të fenomenit të pastrimit të parave që ndërtuesit përdorin për ngritjen e ndërtesave luksoze në kryeqytet.
Në Tiranë, agjentët e pasurive të patundshme pohuan se kërkesa për zyra me qira është e lartë nga të huajt. Kompanitë e huaja, që ofrojnë shërbim për të tretët, parapëlqejnë më tepër mjedise luksoze zyrash, kryesisht te ndërtimet kulla, ndërsa bizneset vendase janë të orientuar drejt periferisë./Monitor