Tre policët që u arrestuan më 14 qershor nga forcat serbe,janë kthyer në Kosovë. Policët u liruan paradite. Avokati i caktuar i tyre, Gradimir Nalliç tha se aktakuza kundër tyre është konfirmuar, por se ata do të mbrohen në liri.
Drejtësia në Serbi i ngarkoi tre policët – Beqir Sefa, Mustafë Shemi dhe Rifat Zeka me veprën penale: prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim i paligjshëm i armëve dhe lëndëve plasëse, e cila parashikon deri në 12 vjet burg.
Policët janë pritur nga kolegët dhe familjarët me përqafime dhe buzëqeshje në kufi. Presidentja Vjosa Osmani tha se lirimi i tre policëve nuk e liron Serbinë nga përgjegjësia. Qeveria e Kosovës e quajti agresion të Serbisë prangosjen e policëve, që siç u tha, ishin rrëmbyer sa ishin në detyrë.