Tre persona kanë humbur jetën brenda 24 orëve të fundit në tre aksidente në Kosovë. Aksidentet fatale kanë ndodhur në Podujevë, Prizren dhe Klinë. Të dhënat e policisë tregojnë se përveç tre viktimave, të lënduar nëpër aksidente kanë mbetur edhe 25 persona të tjerë.
Sipas policisë të enjten rreth orës 19 e 30 minuta në Podujevë ka ndodhur një aksident mes të dy makinave. Një grua vdiq dhe tre persona të tjerë u plagosën.
Aksidenti tjetër ka ndodhur rreth orës 10:00 në autostradën “Ibrahim Rugova”, pjesa Suharekë -Prizren, ku një person ka humbur jetën.
Ndërsa aksidenti tjetër me pasoja fatale ka ndodhur mesditën e së enjtes në Klinë, ku treni i linjës Pejë-Prishtinë ka goditur një veturë, ku shoferi ka humbur jetën.
Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, në Kosovë sipas IndeksOnline janë raportuar të kenë ndodhur 79 aksidente, prej të cilave tri fatale, 25 me persona të lënduar dhe 51 të tjera me dëme materiale.









