Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar ditën e sotme një takim me ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, dhe me përfaqësues të bizneseve në vend.
Kurti theksoi rëndësinë e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, potencialin që ka Kosova dhe mundësinë e thellimit të bashkëpunimit me sektorin privat.
Mirëpo në një reagim në Twitter, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se ngritja e tensioneve ndikon keq në klimën e investimeve në Kosovë.
“Isha pjesëmarrës në një takim të rëndësishëm që kishte kryeministri Albin Kurti me përfaqësuesit e bizneseve për nevojën e forcimit të bashkëpunimit dhe zgjerimit të dialogut mes Qeverisë dhe sektorit privat. Ne diskutuam gjithashtu se si tensionet e rritura dhe paqëndrueshmëria ndikojnë negativisht në klimën e investimeve në Kosovë”, shkroi ai në Twitter.
Kurti nga ana tjetër u shpreh se në takim u diskutua për mundësitë dhe sfidat, në sektorin privat, me theks te financimi i zgjerimit të biznesit dhe fuqia punëtore, si dhe për mënyrat se si të tërhiqen edhe më shumë investime të huaja direkte në Kosovë.