Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis i kujtoi Ramës në samitin dy ditorë të NATO-s në Lituani, se çështja e shtetit ligjor në Shqipëri është një nga kriteret e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Mitsotakis është përgjigjur i prerë duke thënë se çështja për Fredi Belerin duhet zgjidhur menjëherë.
Ai u takua me kryeministrin Edi Rama në Vilnius, ku vuri theksin dhe nevojën për zgjidhjen e menjëhershme të çështjes së Belerit, duke nënvizuar se në Shqipëri ka një çështje shteti ligjor.
“Me homologun tim shqiptar, zotin Rama, e ritheksova edhe një herë se kjo çështje është një çështje që duhet zgjidhur. Është çështje e shtetit të së Drejtës, dua ta theksoj këtë, kur një kryetar i zgjedhur burgoset pa akuza të vlefshme dhe mbahet në burg pa pasur mundësi të betohet.
Këto janë gjëra që nuk duhet të ndodhin në një vend që e ka vendosur shtetin e së Drejtës Europiane në krye të reformave që dëshiron të bëjë për t’iu afruar Bashkimit Europian. Mendoj se mesazhi im ishte i qartë: respektoj pavarësinë e gjyqësorit shqiptar, nga ana tjetër mendoj se të gjithë e kuptojmë se kjo çështje duhet të zgjidhet shpejt,” ka theksuar Mitsotakis nga Lituania.