Një autokolonë e madhe që transportonte luftëtarë të ushtrisë private “Wagner” u pa të shtunën herët në mëngjes duke hyrë në Bjellorusi nëpërmjet Rusisë, raportoi një grup monitorues. Ky zhvillim vjen një ditë pasi ministria bjelloruse e Mbrojtjes njoftoi se planifikonte që mercenarët dhe forcat e armatosura të këtij vendi, të kryenin stërvitje të përbashkëta ushtarake dhe se mbi këtë çështje kishin hartuar edhe një udhërrëfyes.
Grupi i pavarur i monitorimit “Belaruski Hajun”, i cili gjurmon lëvizjet e forcave të armatosura në Bjellorusi, tha se të paktën 60 kamionë, autobusë dhe automjete të tjera të mëdha, kishin hyrë në Bjellorusi, shoqëruar nga policia bjelloruse.
Grupi nuk tregoi foto apo video të automjeteve, por tha se ato kishin targa nga zonat e pushtuara nga Rusia në pjesën lindore të Ukrainën, ku mercenarët e ‘Wagner-it’ luftuan së bashku me trupat ruse, deri në para reblemit jetëshkurtër kundër Kremlinit, muajin e kaluar.
Karvani po udhëtonte drejt një baze ushtarake jashtë Osipovichi-t, një qytet 230 kilometra në veri të kufirit me Ukrainën, sipas “Belaruski Hajun”. Imazhe satelitore të analizuara nga ‘Associated Press’ këtë muaj, treguan rreshta strukturash të ngjashme me tenda, që dukej se ishin ndërtuar në bazë, mes 15 dhe 30 qershorit.
Presidenti autoritar i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, tha në atë kohë se Minsku mund të përdorte përvojën dhe ekspertizën e Wagner-it dhe se ai u kishte ofruar luftëtarëve një “njësi ushtarake të braktisur” për të ngritur kampin. Po atë javë, një udhëheqës i një grupi gueril anti-Lukashenko-s i tha AP-së, se pranë Osipovichi-po ndërtohej një baze për grupin e mercenarëve. /VOA
Artikulli i plotë këtu.