Në kuadër të edicionit të 25-të të Simpoziumit Ndërkombëtar SYMI, që po mbahet në Greqi, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një bashkëbisedim me ish-kryeministrin grek, George Papandreou.
Në pyetjet e ish-kryeministrit grek, ai foli për punën e institucioneve në Kosovë, me theksin te përparimin demokratik, ekonomik, sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit, të drejtat e njeriut dhe të pakicave, politikat sociale dhe pluralizmin politik.
Po ashtu u diskutua edhe për raportet midis shteteve në Ballkan, integrimin evropian dhe marrëveshjen bazike me Serbinë për normalizim të marrëdhënieve.
Ky bashkëbisedim i parapriu dy paneleve diskutuese për Ballkanin, në njërin prej të cilit mori pjesë emisari e ndërmjetësi evropian për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak.