Sali Berisha, duke marrë fjalën për procedurë, në seancën e sotme plenare i bëri thirrje kryeministrit Rama që të vijë në sallën e parlamentit dhe të japë llogari për aferën e inceneratorëve dhe arratisjen e ish-zëvendësit të tij.
“Ai zotëria që nxin aty me mungesën e tij duhet të vijë në parlament. Sot mbyllet parlamenti, mbyllet me faqe të zezë për shkakto tij, prandaj të vijë këtu e të dalë para shqiptarëve, sepse ka një mocion dhe një interpelancë për arratisjen nga vendi të numri 2 të qeverisë, akt i pashembullt në historinë e shtetit shqiptar në momentin që u kërkua nga drejtësia.
Kurse ju, ngriheni kundër Kushtetutës, doni të rrëzoni të drejtën me vota këtu dhe ai nuk paraqitet në Kuvend. Kush do të flasë për zv/kryeministrin? Do të flisni ju, jo ju s’keni tagër, do të flasin ministrat, jo ata nuk kanë tagër. Duhet të vijë kryeministri këtu para shqiptarëve të kërkojë të falur, të denoncojnë arratisjen e zëvendësit të tij dhe të japë dorëheqjen. Të japë dorëheqjen, kjo është rruga dhe këtë presin shqiptarët sot prej tij.”, u shpreh ndër të tjera në fjalën e tij Sali Berisha.