Në Shqipëri jo të gjitha qytetet kanë shkolla muzike dhe fëmijët e talentuar ndjekin klasa të veçanta ku që në moshë të vogël ushtrohen për të ndjekur rrugën e artit, në muzikë, artet figurative, apo balet.
Melisa Figuri, nga qyteti i Lezhës, është një prej tyre. Ajo e ka nisur rrugën e artit që në moshën 5 vjeçare duke zgjedhur violinën dhe me pasionin për muzikën klasike. Specialistët thonë se ekspozimi ndaj muzikës që në moshat e hershme, zhvillon tek fëmijët aftësi përtej asaj artistike.
Është Melisa Figuri, nxënëse e klasave të muzikës në shkollën “Besëlidhja” në qytetin e Lezhës. Rruga e saj drejt muzikës ka nisur që heret, në moshën 5 vjeçare. Për gati 8 vite violina është pjesë e pandarë e ditëve të saj dhe tani, kur është në klasën e 6-të, Melisa thotë se adhuron muzikën klasike.
Koncertet tashmë janë pjesë e jetës artistike të Melisës. Koncerti i saj i fundit me muzikë klasike u mbajt pak ditë më parë si pjesë e kalendarit të aktiviteteve kulturore të Lezhës për sezonin veror. Në këtë koncert Melisa ishte me bashkëmoshatarët e saj, Sonila Bushin në piano dhe Fabio Markolaj edhe ai në violinë.
Mësuesja e Melisës, Alesia Sadiku, thotë se autorët klasikë janë të vështirë në interpretim, por Melisa është bashkëpunuese dhe me dëshirën për të zgjeruar repertorin e saj në violinë.
Shqipëria dallohet për numrin e madh të talenteve në fushën e artit si në muzikë, artet figurative apo balet. Mjaft prej tyre vazhdojnë të spikasin në skenat botërore. Vitet e fundit, në shumë qytete funksionojnë shkollat apo klasat e artit, si në Tiranë, Shkodër, Lezhë, Fier, Gjirokastër etj./VOA