Dy oficerë të marinës amerikane u akuzuan të enjten se i kanë ofruar informacione të ndjeshme ushtarake Kinës – përfshirë detaje mbi stërvitjet gjatë kohës së luftës, operacionet detare dhe materialet teknike kritike.
Dy marinarët, të dy me bazë në Kaliforni, u akuzuan për veprime të ngjashme për të siguruar inteligjencë të ndjeshme për kinezët.
Por rastet e tyre ishin të ndara dhe nuk ishte e qartë nëse të dy ishin rekrutuar apo paguar nga i njëjti oficer i inteligjencës kineze si pjesë e një skeme më të madhe.
Zyrtarët federalë në një konferencë shtypi në San Diego nuk pranuan të konfirmonin nëse marinarët ishin në dijeni të veprimeve të njëri-tjetrit.
Të dy u deklaruan të pafajshëm në gjykatat federale në San Diego dhe Los Angeles. Marinarët u urdhëruan të mbahen deri në seancat e paraburgimit, që do të zhvillohen më 8 gusht në të njëjtat qytete.
Zyrtarët amerikanë kanë shprehur prej vitesh shqetësimin për kërcënimin e spiunazhit që ata thonë se paraqet qeveria kineze , duke ngritur çështje penale në vitet e fundit kundër operativëve të inteligjencës së Pekinit që kanë vjedhur informacione të ndjeshme qeveritare dhe komerciale, përfshirë edhe hakerimin e paligjshëm.
Dy çështjet vijnë gjithashtu pas një tjetër ndjekjeje penale për kërcënim të brendshëm të lidhur me ushtrinë amerikane.
Departamenti i Drejtësisë në prill arrestoi një anëtar të Gardës Kombëtare Ajrore në Masaçusets me akuzat për rrjedhje të dokumenteve të klasifikuara ushtarake në lidhje me luftën e Rusisë në Ukrainë dhe çështje të tjera të sigurisë kombëtare në Discord, një platformë e mediave sociale e përdorur kryesisht nga ata që luajnë lojëra online.
Zyrtarët amerikanë thanë se rastet tregojnë se Kina do që të bëjë gjithçka për të siguruar njohuri mbi operacionet ushtarake të SHBA./VOA
Artikulli i plotë këtu.