Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka bërë një reagim në lidhje me ndërtimin e kullës “Mali i Tiranës” që do të ndërtohet pas Teatrit të Operës dhe Barletit.
Sipas tij, këto ndërtime shërbejnë për të pastruar paratë e pista. Ai bën thirrje që SPAK të hetojë.
“Ka një llogari të institucioneve të specializuara se në një periudhë 2 vjeçare, në Shqipëri pastrohen 1.6 miliard euro në sektorin e ndërtimit.
Si një nga deputetët që kam ngritur vazhdimisht zërin dhe kam sjellë fakte për denoncimin e përfshirjes së qeverisë dhe bashkisë në biznesin e pastrimit të parave përmes kullave shumëkatëshe ripërsëris thirrjen për SPAK-un që të tregojë se është më i fuqishëm se korrupsioni politik dhe se krimi i organizuar,” thotë ai.
Bardhi thotë se 2 vjet më parë, SPAK hapi një hetim, pasi në përgjimet e Antimafias italiane u zbulua se lejet e ndërtimit në Tiranë jo vetëm blihen me para të pista, por sipas tij, ndërtimi i kullave, me firmën e Ramës dhe Veliajt, shërben për pastrimin e parave të krimit të organizuar.
“Nisja për ndërtimin e kullës më të lartë në Ballkan në qendër të Tiranës, duke zaptuar një tjetër hapësirë zë gjelbër, ka bërë të domosdoshëm ndërhyrjen e drejtësisë për të hetuar procedurat e marrjes së lejes, pronarët reale, si dhe burimet e financimit. ,” thotë Bardhi në reagimin e tij.