Prishtina zyrtare vazhdon t’i cilësojë të padrejta masat ndëshkuese që Bashkimi Evropian i vendosi Kosovës për shkak të siç thuhet “paaftësisë së qeverisë për të vepruar në mënyrë evropiane”, në raport me situatën në veri.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pret që partnerët e BE-së të bëjnë tërheqjen e këtyre masave, pasi sipas saj, “institucionet janë duke e respektuar marrëveshjen e arritur në Bratislavë për deeskalim të situatës në veri”.
“Tashmë ka reduktim të forcave policore në përputhje me marrëveshjen, e që kërkon konsultim edhe me EULEX-in edhe me misionin e NATO-s këtu.
Është duke u krijuar baza ligjore për zgjedhje të jashtëzakonshme në këto komuna veriore. Të gjitha këto kanë qenë pjesë e marrëveshjes së Bratislavës.
Tani presim që hapat t’i marrin partnerët tanë në Bashkimin Evropian, sepse, masat e tyre kanë qenë komplet disproporcionale me çfarëdo pakënaqësie që mund të kenë pasur në raport me veprimet e Qeverisë së Kosovës”, tha presidentja Osmani.
Me një dozë nervozizmi, Presidentja tha se “e ka përshtypjen se shumë shtete e kanë trajtuar Kosovën sikurse ta pushtonte dikë”.
“Kosova nuk e ka pushtuar asnjë territor të shtetit fqinj, Kosova ka vepruar në territorin e Republikës së saj, Republikë sovrane e cila është njohur nga shumica dërrmuese e shteteve të Bashkimit Evropian. Si presidente e vendit natyrisht kërkoj çdo ditë të ketë koordinim me aleatët dhe partnerët tanë, sepse çështjet e sigurisë janë tema kolektive dhe jo individuale”, tha Presidentja Osmani.
Ajo kërkoi nga komuniteti ndërkombëtar që të bëjë presion mbi presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, për t’i dhënë fund “ndikimit negativ ndaj qytetarëve serbë në veri të Kosovës”./DW
Artikulli i plotë këtu.