Vendpushimi i presidentit amerikan “Kampi David”, do të jetë sërish qendër e historisë së diplomacisë ndërkombëtare, kësaj radhe për të forcuar një aleancë trepalëshe ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe dy aleatëve të saj aziatik, Japonisë dhe Koresë së Jugut, si kundërpërgjigje ndaj Koresë së Veriut dhe Kinës.
Takimi i nivelit të lartë i së premtes, mikpritës i së cilit është Biden, synon t’i japë formë përfundimtare angazhimit trepalësh, përfshirë një premtim nga Uashingtoni, Tokio dhe Seuli për të krijuar një lidhje të hapur mes tre vendeve në rast urgjence si dhe mundësi konsultimi gjatë krizave rajonale, sipas një zyrtari të lartë të administratës amerikane.
Të tre vendet do të përkushtohen, që kur të përballen me një pasiguri rajonale apo kërcënim, të këshillohen menjëherë, të ndajnë informacione zbulimi dhe të bashkërendojnë veprimet, tha një zyrtar tjetër i lartë i administratës.
“Mesazhi që përçojmë është se ndajmë një mjedis sigurie të ndërlidhur,” tha zyrtarja amerikane, që foli me kusht anonimiteti. “Një kërcënim ndaj njëri prej nesh, është në thelb kërcënim për secilin prej nesh”.
Zyrtari i dytë këmbënguli se ky përkushtim nuk është aleancë formale ushtarake apo përkushtim për mbrojtje kolektive siç e kanë quajtur Kina dhe Koreja e Veriut.
Pheniani dhe Pekini e kanë cilësuar takimin në “Kampin David” si përpjekje të Uashingtonit për të krijuar një “mini-NATO” në Azi.
Detyrimi për t’u këshilluar gjatë krizës është zhvillimi më i fundit në vazhdën e premtimeve për bashkëpunim trepalësh në fushën e mbrojtjes, përfshirë stërvitjet e rregullta ushtarake, si dhe bashkëpunimin në aspektin e sigurisë ekonomike forcimin e rrugëve të furnizimit, sigurisë kibernetike dhe inteligjencës artificiale. /VOA
Artikulli i plotë këtu.