Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill tha në një intervistë me programin në gjuhën serbe të Zërit të Amerikës se Asociacioni i komunave me shumicë serbe dhe qasja Kosovës në strukturat ndërkombëtare, janë thelbësore për një të ardhme më të qetë mes Kosovës dhe Serbisë.
Zëri i Amerikës: Presidenti serb (Aleksandar) Vuçiç takoi presidentin ukrainas Volodymir Zelensky këtë mëngjes dhe ai e përshkroi takimin e tyre si një bisedë të sinqertë dhe miqësore.
Por, nga ana tjetër, mbrëmë mediat serbe raportuan duke cituar median ruse se zoti Vuçiç nguli këmbë që sanksionet ndaj Rusisë të mos jenë në deklaratën përfundimtare të takimit në Athinë. A e shihni ju këtë si një veprim balancues të tij?
Christopher Hill: Epo, duhet ta pyesni zotin Vuçiç, por unë do t’ju thosha se qëndrimi ynë për sanksionet është shumë i qartë.
Ne mendojmë se të gjithë duhet t’u bashkohen sanksioneve. Sigurisht që vendet që aspirojnë t’i bashkohen Evropës duhet t’u bashkohen sanksioneve dhe ne mendojmë se është gjëja e duhur për të bërë.
Çështja, ju e dini, është se ka shumë vende të vogla që janë pjesë e sanksioneve dhe kjo ka qenë e dëmshme për to, por e bënë këtë sepse është në interes të së mirës më të madhe dhe grupit më të madh që është Bashkimi Evropian.
Kështu që ne do të dëshironim të shihnim Serbinë të bënte të njëjtën gjë, t’u bashkohej sanksioneve dhe ta bënte atë pjesë të ecjes drejt të qenit në sistemet euro-atlantike. Sa i përket takimit me presidentin Zelensky, ishte vërtet pamje e mirë./VOA
Artikulli i plotë këtu.