Shkrepja e një aparati fotografik. Në një fraksion të sekondës, objektivi i aparatit fikson një imazh që do të hyjë përgjithmonë në histori.
Fotografia e ish-presidentit Donald Trump si i arrestuar në një burg të Atlantës të enjten, njëkohësisht krijoi dhe dokumentoi një ngjarje të pashembullt në jetën amerikane si hera e parë që kjo ndodh në historinë e vendit.
“Ky do të jetë një moment që do të simbolizojë përgjithmonë se çdo të thotë të jetosh në këtë kohë”, thotë Marty Kaplan, profesor në Shkollën e Komunikimit Annenberg të Universitetit të Kalifornisë Jugore.
Në foto, zoti Trump, i vrenjtur, sheh direkt në kamera para një sfondi të butë ngjyrë gri. Ai ka veshur një kostum blu, këmishë të bardhë dhe kravatë të kuqe, me shpatulla brenda objektivit të fotografisë, kokën e anuar pak nga kamera. Logoja e sherifit është shtuar në mënyrë dixhitale mbi shpatullën e tij të djathtë.
Disa nga 18 të pandehurit e tjerë të çështjes së Xhorxhias, buzëqeshnin në fotot e arrestimit, por jo zoti Trump. Vështrimi i tij është sfidues, sikur po sheh në sy një kundërshtar armiqësor.
“Nuk është një ndjesi e mirë, veçanërisht kur nuk ke bërë asgjë të keqe”, tha ai më vonë për televizionin amerikan Fox News për këtë moment të kapur nga objektivi i kamerës.
NJË FOTOGRAFI SI ASNJË TJETËR
Përballja e ish-presidentit Trump me akuza është bërë diçka e zakonshme në vitin 2023 për amerikanët që e kanë parë atë të dalë përpara një gjyqtari në një sallë gjyqi në Nju Jork ose panë skica nga brenda gjykatave federale në Miami dhe Uashington, ku kamerat nuk lejohen. Kësaj radhe është ndryshe./VOA
Artikulli i plotë këtu.