Një shqiptar me origjinë nga Fieri është plagosur me armë në kokë në Greqi, në lagjen “Menidi” të Athinës. Bëhet me dije se ky i fundit rezulton me precedent të më parshëm, të rëndë penal dhe sapo kishte dalë nga burgu.
Mësohet se të shtunën e kaluar shqiptari ka shkuar në një festë në këtë lagje, në momentin që po mblidheshin karriget.
Aty papritur ka filluar një sherr mes tij dhe dy personave të tjerë ku ka hyrë dhe një 35-vjeçar grek, i punësuar në një dyqan akulloresh, i cili ka goditur në fytyrë shqiptarin.
Ndërkohë në orët e para të ditës së sotme shqiptari ka shkuar i armatosur në të njëjtin vend duke hapur zjarr ndaj 35-vjeçarit grek dhe për pasojë duke e plagosur në këmbë.
Teksa largohej nga vendi i ngjarjes, shqiptari nga Fieri është përplasur me një kalimtar duke i rënë arma nga dora të cilën ka arritur ta marrë 35-vjecari grek duke plagosur më pas në kokë shtetasin shqiptar.
Ata janë transportuar në spital, nga ku mësohet se greku është në gjendje të mirë, ndërsa shqiptari është në gjendje shumë të rëndë shëndetësore.