Policia e Korçës njofton se ka vënë në pranga dy të rinj, të cilët akuzohet se shpërndanin lëndë narkotike në disa zona të ndryshme të qarkut.
Konkretisht, bëhet fjalë për Ervis Gurin, 28 vjeç dhe Redjon Verin, 31 vjeç, të dy banues në Drithas të Maliqit. Sipas policisë, ata u ndaluan teksa udhëtonin me një automjet, ku edhe iu gjendën dhe sekuestruan kokainë dhe një shumë parash.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Korçë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq, në vazhdën e operacioneve me fokus goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike, në doza, në zona të ndryshme të qarkut, finalizuan operacionin policor të koduar “Night sales 7”, si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit E. G., 28 vjeç dhe R. V., 31 vjeç, të dy banues në fshatin Drithas, Maliq.
Në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, për veprimtarinë kriminale të këtyre 2 shtetasve, në kryqëzimin e unazës, Maliq, u ndalua automjeti me drejtues shtetasin R. V. dhe ku ishte pasagjer shtetasi E. G.
Nga kontrolli i ushtruar në automjet u gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë, e ndarë në doza të gatshme për shitje. Dozat e kësaj lënde narkotike, automjeti, 3 celularë dhe një shumë parash u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.”, njofton policia e Korçës.