Presidenti Bajram Begaj deklaroi sot se është duke shqyrtuar dhe përgatitur lëshimin e autorizimit për qeverinë për grupin negociator për të dërguar dosjen e kufirit detar me Greqinë në Hagë. Ai tha se autorizimi do të bazohet te vendimi i Gjykatës Kushtetuese të vitit 2010, që anuloi paktin e firmosur nga qeveria Berisha.
“Po sqaroj se lëshimi i autorizimit për çdo negociatë apo marrëveshje është detyrim ligjor. Sa i përket autorizimit të çështjes në fjalë, duhet të përmbushë disa kritere paraprake, kushtetuese dhe ligjore, që duhet të jenë në kornizën e Gjykatës Kushtetuese e vitit 2010.
Aktualisht e kam dhënë edhe më parë përgjigjen, po e shqyrtojmë këtë relacion për të bërë të mundur që autorizimi do të jetë në përputhje me gjykatën Kushtetuese. Sapo të firmoset do të bëhet me dije për publikun” tha ai.









