Një aksident është regjistruar mëngjesin e sotëm, rreth orës 05:50, në aksin rrugor Krane-Qafë Botë, në dalje të Konispolit.
Policia bën me dije se automjeti tip “Volkswagen”, me drejtues 43-vjeçarin Gëzim Prendi, ka dalë nga rruga dhe për pasojë ka humbur jetën pasagjerja, bashkëshortja e tij 35-vjeçarja Adriana Prendi.
Po ashtu mësohet se ka pësuar dëmtime edhe një 37-vjeçar, pasagjeri tjetër në këtë automjet, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Në mbrëmje ata kishin marrë pjesë në një dasmë, ku viktima po martonte vëllanë e saj dhe pas eventit ata po ktheheshin për në Greqi ku dhe jetonin dhe punonin.
Grupi hetimor ka shkuar menjëherë në vendngjarje dhe po punon për sqarimin dhe dokumentimin e rrethanave dhe shkakut të aksidentit, ku paraprakisht dyshohet se drejtuesi i automjetit ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe për pasojë automjeti ka dalë nga rruga.