Prokuroria e Shtetit të Kosovës ka urdhëruar ditën e sotme ndalimin e një mjeku me inicialet S. D., të QKUK-së, të dyshuar për marrje të ryshfetit.
Pas kësaj ka ardhur edhe reagimi i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës.
“Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës, me shqetësim ka pranuar lajmin se një mjek është arrestuar nën dyshimin për kryerjen e veprës penale, marrje e ryshfetit. Drejtoria e ShSKUK-së është duke e përcjellë me vëmendje këtë situatë dhe do të ndërmarr të gjitha veprimet ligjore,” thuhet në reagim.
ShSKUK ka shtuar se shkelësit e ligjit nuk kanë vend në institucionet publike shëndetësore.
“Ftojmë të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë dhe të raportojnë raste të parregullsive,” thuhet në reagimin e ShSKUK.