Ivi Kaso, përfaqësuesi ligjor i grupit të Sali Berishës në selinë blu deklaroi se Edi Rama po përdor sistemin e drejtësisë për të mbajtur ‘peng’ Fredi Belerin. Ai u kërkoi organeve ligjzbatuese që të shoqërojnë kryetarin e zgjedhur në mbledhjen e këshillit bashkiak për të bërë betimin.
“Fredi Beleri, kandidati i koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë” u zgjodh me votë të lirë, të barabartë e të fshehtë, pavarësisht presioneve të Edi Ramës. KQZ i dha mandatin më përputhje me Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor. Gjykata e Vlorës çertifikoi sipas ligjit mandatin e Fredi Belerit. Hapi i fundit për fillimin e ushtrimit të detyrës është betimi solemn para këshillit bashkiak.
Edhe pse ushtrimi, menjëherë e pa pengesë, i detyrës për të cilën është zgjedhur është detyrim në kuadër të OSBE, Këshillit te Europës dhe Kushtetutës, Edi Rama po përdor sistemin e drejtësisë për ta mbajtur peng bërjen e betimit. Justifikimi i Ramës është se Fredi Beleri është i paraburgosur.
Qëllimi është mbajtja e kryetarit të zgjedhur të bashkisë Himarë deri sa të kalojë afati 90 ditor për bërjen e betimit. Kjo është pengmarrje e një të drejte kushtetuese. Fredi Beleri prezumohet i pafajshëm deri në ditën që dënohet me vendim përfundimtar të formës së prerë dhe ruan të drejtën për të zgjedhur e për t’u zgjedhur” tha ai.