Për Sali Berishën, njeriu që pret të betohet si kryetari i ri i bashkisë së Himarës, Fredi Beleri, është hero. Për Edi Ramën, shefin e qeverisë dhe të shumicës qeverisëse, Fredi Beleri është llum.
Mes njërit përcaktim dhe tjetrit, është një hon i frikshëm dhe nuk ka gjasa që e vërteta të jetë në mesin e tyre.
Nëse i njëjti, Beleri, do të ishte përzgjedhur si kandidat për kryetar bashkie nga e majta qeverisëse, pra nga Edi Rama, atëherë për Berishën ky do të ishte llumi i llumit. Nuk e besoj se Rama do të bënte gabimin historik, që shkon drejt fajit politik, që nën presionin e forcave regresive greke në raport me Shqipërinë, edhe kur janë në pushtet, të kishte përzgjedhur një figurë të tillë për të qeverisur Himarën. Nëse i pari, Berisha, niset nga pasioni, e jo vetëm nga pasioni, por edhe interesat e një lukunie politike financiare që ka interesa në bregdet, Rama, të dytat, projektet financiare i ka në sirtarin apo tryezën e tij, dhe “loja” Beleri, e nisur si një shashkë, është kthyer në mollë sherri, jo vetëm mes dy forcave politike, që shpejt mund të gjejnë një rrugë të mesme, pa hequr dorë nga përcaktimi i tyre, por edhe mes dy qeverive, njëra nga të cilat, ajo greke, e ka marrë më shumë se seriozisht, ndërsa tjetra, ajo shqiptare, nuk dëgjon nga ai vesh.
Zgjedhja e Belerit, përcaktimi i tij si hero, mbështetja e furishme që i bën Foltorja, ku jam i bindur ka figura politike që as nuk kanë shkelur në Himarë gjatë fushatës, pikërisht për të mos mbështetur një grekofon të çartur, në ndërgjegjen e të cilit rëndojnë më shumë sesa mund të bartë një njeri i tillë, është ndër fajet politike të opozitës. Të zgjedhura me qëllim, si një rrugë ku mund të përplasen interesa të shumta, që nga ato politike, deri tek përfitimet e mëdha financiare. Një parti e së djathtës, që gjithë ditën shfryen për nacionalizëm, duke mbështetur një figurë si Beleri i heq vetes kauzën e saj, bëhet e pabesueshme për të tjerët dhe karta nacionaliste dhe deliri shqiptaromadh duken si gjethe fiku për të mbështetur të vërtetën.
Beleri vazhdon të jetë hero për Foltoren. Njeriu që kërkohej të arrestohej dhe të dënohej për vrasjen e ushtarakëve shqiptarë në masakrën e Peshkëpisë, anëtar i zjarrtë i MAVI, “heroi” i tanishëm i nacionalistëve vorio-epirotë, ka gjetur strehën e tij te Foltorja, ku nuk duhet të ishin as gjurmët e tij. Ndërkohë ndodhet i arrestuar dhe asgjë më shumë sesa arrestimi i tij nuk ia ka ngritur pikët në oborrin e nacionalizmit grek.
Por le të kthehem në fillesën e këtij shkrimi : i njëjti njeri, në rolin e tij politik, ndërsa për njërën anë është hero, në anën tjetër është llum. Po i njëjti: nëse do të kishte qenë zgjedhje e Ramës do të kthehej menjëherë në llum nga Foltorja, kjo është më e pakta, qeveria e së majtës do të etiketohej si tradhtare e interesave të kombit, Foltorja do të shfaqej si mbrojtëse e interesave të çamëve, të dëbuar nga tokat e vatrat e tyre, që tani askush nuk i kujton, retorika do të ngrihej në nivelin më të lartë, konferencat e shtypit do të ndiqnin njëra-tjetrën.
Çfarë po ndodh? A është pozicioni politik vlerësim për karakterin, vlerën, virtytin, antivlerën apo dëshmi e ndërgjegjes, ose e shprishjes së saj?
A mund të përcaktojë pozicioni politik vlerat e njeriut? A janë të gjithë shpirt këqij, monstruozë, të pa vlerë ose shumë të vlerësuar, vetëm se duan të jenë në një forcë politike të ndryshme? A janë të gjithë politikanët maskarenj, oligarkë dhe pse ndodhi që tashmë figura e një njeriu të politikës në shumë raste është kthyer në mishërimin e përfituesit, të fortit, të pasurit e deri mashtruesit?
Që Fredi Beleri nuk është hero, e që nuk ka asnjë fije heroizëm në të gjithë këtë që po ndodh, këtë, më mirë se kushdo tjetër e di vetë Berisha. Ai e njeh dosjen e tij deri në detaje, i di bëmat dhe i ka hapura llogaritë. Përmes tyre ai është lehtë i shantazhueshëm, atij mund të i rrëmbehen leje ndërtimi apo toka ende të lira, mund të ndërtohet gjithçka që duan njerëzit pranë Foltores. Nëse një njeri si Beleri është hero, atëherë askush mos pastë heronj të tillë? Në fakt, ai mbetet turpi i zgjedhjes së politikës, që aq sa e ka mendjen dhe kokën drejt Dules e mbështetësve të tij, aq mund ta ketë nesër ndaj kujtdo që i afron realizimin e synimeve të tij. Ai do të mbetet deri në fund njeriu që me zell i shërben interesave të klaneve greke dhe nuk mund të shkojë më tej se kaq. Beleri mbetet dëshmi e miopisë politike, e luftës së ndërsjellët të partive politike, që për inat të njeri tjetrit, janë gati të ia nxjerrin sytë këtij vendi.
Për Berishën, në rrugën e tij të gjatë politike, gjithçka ka ndryshuar sipas çasteve, interesave, përplasjeve dhe llogarive të ftohta. Asnjëherë në to nuk ka qenë Shqipëria, por vetja. I thur lavde Ramiz Alisë në fjalimin e tij të parë dhe përshkrimi që i bën atij ngjan pikë për pikë me fjalën e Enver Hoxhës kur bën vendos të jetë Alia drejtuesi i Kuvendit Popullor, si hapi i parë i sigurtë drejt pushtetit. Fjalia e deklaruar për Ramiz Alinë në mitingun e parë ku ai merr pjesë, se…” Ramiz Alia (i cili) me mençuri dhe guxim udhëhoqi njësitë e mëdha të ushtrisë sonë në betejat çlirimtare…”, është krejt e njëjtë me atë që kishte thënë tetë vite më parë Enver Hoxha. Alia, pas pak kohe u bë tradhtar, që kishte shitur interesat e vendit, etj. Kështu për Fatos Nanon, Ilir Metën, kur ishte në krahun tjetër të politikës, për Fatmir Xhafën, Pandeli Majkon, për Namik Doklen, për të gjithë, për t’i bërë pas pak kohëve burra të mirë, të ndershëm. Nano ishte vrasësi i Azem Hajdarit, u shpall i pafajshëm kur tentoi ta bënte president; Ilir Meta ishte kriminel, tani është krahu i tij i djathtë, Basha, njeriu që e zgjodhi me dorën e tij për të turpëruar demokratët, ishte figura që udhëhoqi liberalizimin e vizave, futjen në NATO, tani është kryearmiku i tij, kështu Rusmajli, Ruli, Imami, për t’i afruar përsëri…Ceka, Zogaj, kushdo.
Për Ramën, qetësisht si i bën llogaritë, Basha është djalë i mirë kur futet në rrjedhën e tij, por edhe Berisha është i kuptueshëm kur duan të ndërrojnë Kushtetutën, që i jep atyre pushtet monarkie, në një rend republikan.
Përse ndodh kjo në politikën shqiptare? Përse Edi Rama nuk do pranë vetes figura të njohura të së majtës, që kanë mbajtur në vite rëndesën që i erdhi nga koha e shkuar? Përse gradualisht i largoi pa i dhënë frymëmarrje forcës politike që vetë ata ia dhanë të drejtonte? Figura të shquara të së majtës ose janë larguar, ose janë vënë në margjinat e politikës dhe rreth vetes ka grumbulluar figura të panjohura, të cilat nuk kanë asnjë lidhje me të majtën, me progresin që mendohet se duhet sjellë.
Beleri është si është, kushdo e di se Himara do të ketë gjithnjë një gur të madh në këmbë, që sa herë synohet të zgjidhet në Shqipëri, aq herë lidhet në shtetin fqinj, emisarët e të cilit janë tani miqtë e Foltores dhe bëjnë presionin e tyre për të bërë sherrin e madh. Himara do të mbetet tokë shqiptare, edhe sikur të ketë aty dhjetëra Belerë dhe e gjithë Foltorja të shpërngulet aty, por çështja Beleri solli dy mesazhe të qarta:
1.Në politikë mund të jesh i ndershëm, por, nëse ndodhesh në kampin kundërshtar, atëherë je domosdo armik, oligark, i pa ndershëm, shfrytëzues, maskara, hajdut. Politika në Shqipëria nuk e njeh atë që quhet marrëveshja e domosdoshme për të qeverisur, edhe kur je në opozitë. Aq më tepër kur të kanë besuar qeverisjen. Përplasja njihet si meritë, fyerja quhet zgjuarsi, kërcënimi është shenjë force, harbutëria është krenari, fshehja e së vërtetës është mençuri. Nëse nuk tregohesh harbut me kundërshtarët, sidomos me qeverinë, e posaçërisht me kreun e saj, nuk je më i besuar, në zgjedhjet politike të radhës nuk do të jesh më deputet, nuk do të kesh një post qeveritar…
2.Për hir të interesit të çastit politika është e gatshme të nxjerrë në ankand vlerat e kombit. Rasti Beleri nuk është i vetmi. Ka dhjetëra e qindra të tillë. Grusht-shteti i shtatorit 1998 ishte njëri prej tyre. Vrasjet e 21 Janarit, po ashtu. Nisma e “Ballkanit të hapur”, si ide dhe realizim dështak nxirrte jashtë veprimit historik një pjesë të madhe të kombit shqiptar. Rasti Beleri tregoi se ne vazhdojmë të kemi një klasë parapolitike, ku mendjet e duhura janë ende të pakta dhe zëri i tyre nuk ka forcën që do të ishte e domosdoshme. Ai që kërcënon në Parlament është burrë i fortë, ai që sjell mendim, fakte, shifra, krahasime, hap rrugë dhe fton për reflektim nuk është në vendin e tij. Qeverisë dhe opozitës i interesojnë të parët, sepse zhurma tretet shpejt; i frikësojnë të dytët, sepse mendja të tremb gjithmonë.
Beleri do të ketë fatin e tij si qytetar i këtij vendi dhe fatin e tij si njeri i politikës. Nëse në fatin e parë do të jetë krejt i zakonshëm, në mos ordiner, si politikan ai kishte fatin që përmes fajit historik të Foltores, të mbetet si precedenti se si verbëria politike synon të verbojë gjithë shtetin.
Vetëm për kaq do të jetë i dëgjuar./ DITA