Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka zhvilluar ditën e sotme në Bruksel një takim me president e Kosovës, Vjosa Osmani ku kanë folur për situatën pas tensioneve në veri.
Menjëherë pas takimit Stoltenberg ka mbajtur një konferencë për shtyp ku ka folur rreth situatës në Kosovë por edhe në lidhje me veprimet e Serbisë kohët e fundit.
I pyetur nga “Reuters” nëse NATO po mbyll sytë kundrejt veprimeve të Serbisë ai u shpreh se kjo nuk është e vërtetë.
“Thuhet se bashkësia ndërkombëtare dhe NATO po i mbyllin sytë ndaj veprimeve të Serbisë, ndërsa Kosova ka ndihmuar në sanksionimin e Rusisë”, pyeti gazetari Reuters.
Stoltenberg u përgjigj duke e mohuar këtë dhe më tej shtoi se mesazhet e Aleancës janë të qarta dhe se ato ia ka thënë edhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç.
“Jo nuk është kështu. I kemi bërë shumë të qarta mesazhet tona në Beograd dhe këtë e kam theksuar shumë qartë në takimin me z. Vuçiç këtë javë”, tha shefi i NATO-s.