Lulzim Basha dështoi që në rinisje. Tullumbacja e Kuvendit Kombëtar u shfry pa kaluar as një javë. E nisi vjeshtën me vrull duke ndryshuar statutin për t’i marrë Gazment Bardhit postin e kryetarit të grupit.
Nesër do ta shkarkojë nga posti i sekretarit të përgjithshëm. U uroi rrugë të mbarë drejt Sali Berishës atyre që i konsideron si “llumi” apo “anti-amerikanët”.
Me pretendimin se vetëm ai e përfaqëson zërin e vërtetë të demokratëve paralajmëroi sërish se beteja sapo ka nisur. Por kur erdhi momenti për të treguar sa vlen nuk doli në fushë.
Bëri gjithçka duke u rizgjedhur mes shumë kontestimeve për të marrë në dorë vulën e PD-së, por ka një problem të vogël. Nuk ka njerëz që t’i shkojnë mbrapa.
Sot në kulmin e “betejës” që ka nisur njoftoi se nuk do të dalë me kandidat në bashkinë e Kukësit. E argumentoi me logjikën se nuk kanë pasur kohë për t’u përgatitur dhe se nuk do të bëhen “trau i dytë” i humbjes.
Në kushtet kur është e qartë nga është shumica e demokratëve, jo vetëm e deputetëve, që janë kundër tij, por edhe simpatizantëve të thjeshtë të së djathtës me këtë ide që arsyeton Lulzim Basha i bie që nuk do të nxjerrë kandidatë as në zgjedhjet e 2025-tës për të mos thelluar përçarjen?!
Atëherë, kur nuk është i aftë për të gjetur një kandidat për një bashki për zgjedhjet lokale për çfarë e do vulën e PD-së Lulzim Basha? Ah, ndoshta për të shkuar në sebepe e qoka si në rastin e rivarrimit të Qazim Mulletit…