Tenderi i fundit i Olta Xhaçkës. Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme ka firmosur dje hapjen e procedurave për një tender konsulence për hartim projekti për rikonstruksionin e ambienteve të jashtme të dikasterit.
“5Pyetjet.al” publikon dokumentet e tenderit që theksohet se është urgjent për shkak të gjendjes së godinës. Procedura me fond limit 20 milionë lekë u hap dje dhe mbyllet në datë 18 shtator kur do të shpallet fituesi.
Në relacionin shoqërues thuhet se amortizimi i fasadës së kësaj ministrie është i dallueshëm me lehtësi. Brenda godinës janë të shqetësuar për lagashtirën prandaj kërkojnë veshje të cilësisë së parë.
“Fasada kërkon përmirësim të kondicioneve hidroizoluese dhe termike, dhe në këtë këndvështrim propozohet të riparohen shtresat e dëmtuara dhe e gjithë sipërfaqja e saj me veshje kapotë, si dhe të lyhet me boje plastike cilësi e parë për ambiente të jashtme.
Pjesët të veçanta të fasadës ekzistuese janë të dëmtuara nga amortizimi dhe lagështia. Në këtë rast të identifikohet burimi i lagështisë dhe të parashikohen masa për eliminimin e tij.
Fasada veriore kërkon në mënyrë urgjente ndërhyrje restaurimi në të gjithë lartësisë e ndërtesës, kati 1, kati 2, kati 3 dhe kati 4” thotë ministria e Xhaçkës që do të qëndrojë në detyrë edhe pak ditë pasi në vendin e saj do të vijë Igli Hasani.
Kjo shumë pra 20 milionë Lekë është vetëm për bërjen e projektit. Do të ketë një tender të dytë për të kryer punimet që do të jetë disa herë më i madh.