Hodhën mbeturina (mbetje bimore), nga një automjet, në një rrugë në Golem, ndëshkohen me masë administrative 100 000 lekë, 2 shtetas. Krahas masës administrative, për të dy këta shtetas ka nisur procedimi penal për veprimtari kundër mjedisit.
Menjëherë pas denoncimit publik për një rast të ndotjes së mjedisit, nga hedhja e një sasie të konsiderueshme mbetjesh bimore, në një rrugë në Golem, nga 2 shtetas që lëviznin me një automjet, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë kanë kryer të gjitha veprimet e nevojshme procedurale, për të identifikuar, si dhe për të ndëshkuar penalisht dhe administrativisht, autorët e këtij rasti.
Për këtë rast, u referuan materialet procedurale në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprimtari kundër mjedisit, për shtetasit S. T., 61 vjeç dhe B. Ll., 61 vjeç, të dy banues në Golem. Gjithashtu, këta shtetas, për shkeljen e kryer, të dokumentuar përmes pamjeve filmike, u ndëshkuan me masë administrative 100 000 lekë.
Policia e Shtetit apelon dhe një herë, për të gjithë qytetarët, që të mos ndotin mjedisin, pasi çdo formë e kësaj veprimtarie, përbën krim, i cili ndëshkohet me prioritet nga Policia dhe nga autoritetet gjyqësore.