Një korridor që do të lidhë Indinë dhe Lindjen e Mesme me Evropën po konsiderohet si variant modern i një rruge të lashtë tragëtare që lidhte Lindjen dhe Perëndimin dhe një mënyrë alternative për nismën kineze “Një brez Një rrugë”.
Korridori ekonomik Indi-Lindje e Mesme-Evropë, rezultat i takimit të shteteve më të zhvilluara të botës, të njohura si G-20, në Indi, do të përbëhet nga një rrjet linjash hekurudhore dhe detare nga India në Lindje të Mesme, pastaj nëpër tokë drejt Mesdheut, nëpër Greqi për në Evropë.
Presidenti Joe Biden e përshëndeti këtë marrëveshje të arritur gjatë takimit në New Delhi.
“Korridori krijon vende pune, rrit tregtinë, forcon zinxhirët furnizues dhe përmirëson lidhjet me njëri tjetrin. Vendos themelet që do të forcojnë tregtinë dhe sigurojnë ushqimin për njerëz në shumë shtete,” tha Presidenti Biden.
Udhëheqësja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pajtohet.
“Korridori është më shumë se një hekurudhë apo kabllo. Është një urë ambientale dhe digjitale përgjatë kontinenteve dhe civilizimeve,” thotë ajo.
Por, a do të jetë korridori i mjaftueshëm për të shërbyer si alternativë ndaj nismës gjithpërfshirëse të Kinës Një Brez një Rrugë, që është e pranishme në 150 shtete?
“Nuk e konsideroj si konkurrencë të drejtpërdrejt globale të nismës “Një Brez Një Rrugë.” Kjo mund të jetë një mënyrë për t’u dhënë infrastrukturë disa shteteve. Por, në realitet, shumë nga ato shtete tashmë pranojnë mjaft ndihmë për investime. Sigurisht Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Izraeli nuk kanë nevojë për kapitale të huaja,” thotë zoti Zack Cooper nga Instituti Amerikan “Enterprise”./VOA