-sidi education-spot_img
15.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Bedri Islami: Të enjten unë isha me Albin Kurtin…

Kryesoret

Ka disa kohë që, me agresivitet të shtuar, përfaqësues të lartë të Bashkimit Evropian, duke përfshirë edhe shefin e politikës së jashtme, Josep Borrelli, ngulin këmbë që mes dy shteteve sovrane, Kosovës dhe Serbisë, normalizimi i marrëdhënieve të nisë me krijimin e Asosacionit të komunave me shumicë serbe, si e vetmja rrugë për të pasur një zhvillim në të ardhmen.

Kosova është ende nën sanksione, të shumë anshme, pikërisht për qëndrimin e saj refuzues që fillesa e normalizimit të jetë çështja e mësipërme, që, në fakt, nuk është as urgjente, as e domosdoshme, as jetike.

Aq banorë serbë që jetojnë në Veriun e Kosovës, janë edhe shqiptarët në Luginën e Preshevës, e njohur si Kosova Lindore. Ndoshta më shumë, për më tepër, në trojet e tyre etnike, ku, prej nga zanafilla kanë pasur jetën e tyre.

Shefi i politikës së jashtme, Borrel, deklaroi pas takimit se “Sot, me kryeministrin Kurti dhe Presidentin Vuçiç, kam tentuar që të gjejmë zgjidhje për një rrugë përpara, bazuar në propozimin tonë. Fatkeqësisht, pas një takimi të gjatë, kryeministri Kurti nuk ka qenë i gatshëm që të ecë përpara në fillimin e një procesi të besueshëm për themelimin e Asosacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë”.

Janë 39 marrëveshje të nënshkruara që nga viti 2013. Disa prej tyre shumë më të qëndrueshme dhe më në dobi të Kosovës se marrëveshjet e tanishme. Në të gjitha prej tyre shteti i Kosovës, qeveritë dhe institucionet e saj kanë dëshmuar se janë të gatshme të bëjnë punë të dobishme, por, gjithë secila prej tyre ka kohën e duhur, radhën e duhur dhe rëndësinë e saj.

Në asnjë rast shteti serb nuk ka dëshmuar asnjë dëshirë për të gjetur rrugë afrimi dhe bashkëpunimi. Përkundrazi, duke dashur krijimin e një “Bosnje” të vogël brenda Kosovës, synimi ka qenë ky dhe vetëm ky.

Asnjë fjalë për të zhdukurit, të vrarët dhe të masakruarit shqiptarë që gjenden ende në miniera të braktisura. Asnjë fjalë për të dëshmuar se kanë mësuar, qoftë edhe diçka të vogël nga e shkuara e tyre e krimit. Asnjë marrëveshje që mund të dëshmojë se mund të jenë ndryshe nga para ardhësit e tyre. Dhe, çuditërisht, asnjë presion mbi shtetin serb që të ndjekë me të njëjtin kujdes edhe 38 marrëveshjet e tjera.

Nuk mund të ketë marrëveshje të njërës pikë dhe të injorohen 38 të tjera! Nuk mund të jetë njëri i kulaçit dhe tjetri i kërbaçit.

Kjo është një histori që përsëritet tash 20 e ca vite dhe këtë valle shteti serb e luan në kurriz të Bashkimit Evropian.

Kryeministri Kurti mund të ketë mjaft qëndrime të gabuara në politikë, por, në këtë rast, ai është në të drejtën e tij, si kryeministër, si drejtuesi i forcës më të madhe politike, si njeriu që është besuar nga shumica e shqiptarëve të Kosovës.

Asnjëherë më parë Kosova dhe qeveria e saj nuk ka qenë nën një trysni të tillë, të shumanshme, që nga Departamenti Amerikan i Shtetit, deri në institucionet e specializuara të Bashkimit Evropian.

Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet dhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar kanë ritheksuar edhe njëherë domosdoshmërinë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kosova shtron pyetjen: A është vërtetë kaq e domosdoshme? A nuk janë të mjaftueshme ata ligje, vendime, urdhra, mbështetje që janë sanksionuar në Kushtetutën e Kosovës, e njohur si Kushtetuta e Ahtisaarit, fituesit të Çmimit Nobel për Paqe?

Ata kanë thënë se zotimi i Kosovës për ta krijuar Asociacionin nuk e cenon Kushtetutën e saj, as nuk kërcënon sovranitetin, pavarësinë ose institucionet demokratike të saj.

Kosova shtron pyeten: Vërtetë nuk e cenon Kushtetutën e Kosovës? Si është e mundur që Gjykata Kushtetuese e hodhi poshtë vendimin e Parlamentit të Kosovës, duke e gjetur marrëveshjen e nënshkruar në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës? A do të anashkalohet ky vendim i Gjykatës Kushtetuese?

“Ne e kundërshtojmë rreptësishtë krijimin e çfarëdo etniteti që i përngjan Republikës Serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë (BH); Bashkësia ndërkombëtare nuk po kërkon të imponojë një zgjidhje. Në vend të kësaj, ne po kërkojmë nga Kosova që ta ofrojë vizionin e saj për këtë Asociacion dhe jemi të gatshëm të ofrojmë ekspertizë dhe mbështetje politike për të siguruar që ajo funksionon në interesin më të mirë të kosovarëve…”

Kosova shtron pyetjen: çfarë sigurie mund të ketë shteti i Kosovës se ky asociacion, me kalimin e pak viteve nuk do të ketë trajtën, qëllimin dhe gjithçka tjetër që paraqet sot Republika Serbska në Bosnje? Qeveria e Kosovës ka pasur gjithnjë mendimin dhe qëndrimin se drafti, i cili nuk ka  kaluar në vendimet e Kushtetueses, në këtë formë që është nuk mund të kalojë përsëri dhe, si duket, edhe bashkësia ndërkombëtare ka filluar të perceptojë një qëndrim të tillë.

Politika e “bulldogut” , “merre ose lëre” dhe tentimi për të shmangur nga bisedimet dhe vendimet politike shefin e qeverisë Kurti, duke e vënë para dilemës, ose këtë, ose asgjë,  nuk janë të frytshme dhe as nuk sjellin progres.

Diplomacia ndërkombëtare ngul këmbë që fillimisht të zgjidhet pikërisht kjo pikë e marrëveshjes, e më pas, në një kohë të pacaktuar, le të bisedohet dhe të vendoset për njohjen dypalëshe dhe normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve!

Kosova shtron pyetjen: Përse të mos ndodhë ndryshe, të bëhet njohja e ndërsjelltë, duke pasur garancinë e shteteve demokratike perëndimore dhe, më pas, mbi këtë bazë, të bisedohet edhe për marrëveshjet e tjera.

Deri tani janë miratuar shumë marrëveshje të përbashkëta, nga të cilat, mbi 30 të tilla nuk janë zbatuar. Si mund të besohet në një shtet dhe politikën e tij serioze, kur edhe për një çështje rutinë, që e kanë miratuar, si targat e makinave, nuk e zbatojnë? Kush garanton se një ditë Serbia do të mbushet në mend dhe do të heqë nga Kushtetuta e saj pjesën ku ende Kosovën, që e quan Kosovë dhe Metohi, e quajnë territor serb?

Përplasja e mitingashëve serbë në veriun e Kosovës, gjë e paralajmëruar dhe e përsëritur herë pas here, jo vetëm për targat e makinave apo se është arrestuar një bandit i njohur, apo për vendosjen e reciprocitetit në çështje që, sa janë teknike, aq edhe politike, dëshmojnë se politika serbe mund të ngrejë stuhi edhe në një gotë uji, që pastaj e derdhin vetë, si gjithnjë, duke akuzuar shqiptarët.

Nëse popullsia shumicë serbe në disa komuna të Veriut nuk dëshiron të jetë në zgjedhje vendore, mos duhet të jetë vazhdë e pushtetit të braktisur?

Të gjitha partitë politike, ose thuajse të gjitha, nuk janë për miratimin e këtij projekti. Ndërsa shumica qeverisëse është hapur kundër kësaj ideje, gjë që e bënë të njohur edhe ditën e djeshme, opozita e ka lënë topin në portën e qeverisë, duke pritur dy herësh: ta mallkojnë nëse e miraton dhe përsëri ta mallkojnë nëse nuk e miraton.

Kjo është ndoshta çështja më sensitive e pas luftës, që kërkon guxim për ta zgjidhur dhe jo të presësh se ku do të gabojë qeveria për të goditur atë.

Le ta zëmë se qeveria do e miratojë marrëveshjen! Kush do të jetë garantuesi se pas kësaj pakica serbe në Kosovë, e cila nuk përbën as 4,3 për qind të popullsisë së Kosovës, do të zërë mend, do të ingranohet në jetën politike, shoqërore dhe institucionale të Kosovës? Askush!

Do të jetë gjithnjë e ditur dhe e pritur që serbët në veriun e Kosovës, edhe pse shumë prej tyre paguhen nga vetë institucionet e saj, do të bëjnë përsëri lëvizjet e dhunshme dhe do të bllokonin gjithçka që do të ishte e mundur, e, po ashtu, është ditur se bisedimet mes drejtuesve të dy shteteve përsëri nuk do të kishin asnjë farë mirëkuptimi.

Në rastin e parë, serbët, të drejtuar politikisht më shumë nga Kisha e tyre thellësisht nacionaliste, se sa nga qeveria, po ashtu thellësisht nacionaliste, përmes protestave synojnë të realizojnë ato trazira, mundësisht të përgjakura, për të krijuar alibinë e krijimit të domosdoshëm të Asosacionit të komunave me shumicë serbe, e njohur si Zajednica, një vetëvrasje politike e Kosovës;

Në rastin e dytë, presidenti serb, edhe sikur shefi i qeverisë së Kosovës të kishte bërë dhjetëra lëshime, ai përsëri do të gjente vjegëzën për mohimin e gjithçka je. Edhe në këtë rast, synimi i prapaskenës është pikërisht hapi i parë i madh i shtetit serb për krijimin e këtij Asosacioni, që në fakt nuk është vetëm ndarja e Kosovës, por edhe boshnjakëzimi i saj.

Asnjë shkak tjetër të tanishëm nuk ka më të përbashkët se sa ky synim i politikës serbe.

Historikisht, sa herë që shteti serb ka dashur të bëjë një lëvizje të re politike, shoqëruar me dhunë dhe përgjakje, çdo gjë ka nisur nga fjalët e përhapura, fillimisht nga një pjesë e klerit të lidhur fort me pushtetin, pastaj nga njerëz të lidhur drejtpërsëdrejti me qeverinë serbe, është demantuar fillimisht prej saj, ndërkohë që ka përgatitur skenarin e një “incidenti” të mundshëm.

Kjo po ndodh edhe tani në Kosovë.

Ka disa ditë që përfaqësues të lartë të klerit ortodoks serb e, pas tyre, njerëz të politikës, po sjellin dëshmi se synimi themelor është pikërisht ndarja, bosnjëzimi i Kosovës, krijimi i enklave dhe hapësirave serbe brenda shtetit të Kosovës. Sipas tyre, nëse nuk realizohet koncesioni politik i Asosacionit, krijimit të një strukture të veçantë për komunat me shumicë serbe, do të ketë trazira, do të shpallet autonomia e serbëve në Kosovë, do të ngrihen strukturat e saj dhe, e gjithë kjo do të ketë si paraprije dhunë të dyanshme: nga protestuesit serbë dhe, përballë tyre Policia e Kosovës.

Të gjitha këto që po ndodhin tani nuk janë asgjë tjetër veçse provat paraprake të rikrijimit të gjendjes së ankthit – megjithëse nuk ka asnjë gjendje të tillë, krijimit të mjedisit të dhunës, ku e akuzuar do të jetë Policia e Kosovës, edhe pse të dëmtuarit do të jenë nga radhët e saj.

Krijimi i një qendre autonome për serbët në Kosovë ka nisur të lulëzojë si mendim pas ngjarjeve të marsit të vitit 2004, kur, pas dhunës së ushtruar ndaj fëmijëve shqiptarë që, të ndjekur nga huliganët serbë u mbytën në lumin e Ibrit, kishte një revoltë të pa llogaritur shqiptare dhe përplasje të ndjeshme edhe me forcat ndërkombëtare.

Në vitin 2004, kur zemërimi nga zvarritjet ndërkombëtare për statusin e një shteti të ri po shkonte përtej limitit të pritjes, skanimi serb përllogariti gjithçka dhe, duke përfituar nga veprimet e dënueshme të rebelimit shqiptar, i vunë flakën, më shumë vetë ata se të tjerët, disa ndërtesave fetare, duke hedhur akuzën mbi revoltën shqiptare.

Që në vitin 2004 shteti serb ka ngritur strukturat e veçanta, të specializuara për Kosovën. Në të janë përfshirë akademikë të njohur, politologë, klerikë nacionalistë të rrymës së ashpër, ushtarakë që kanë pasur të kaluar në Kosovë, dhe, për fat të keq edhe shqiptarë të serbizuar.

Është periudha kur pala serbe, e ndodhur në të papriturën e qëndrimit të prerë të shqiptarëve , sipas të cilës duhet bërë fillimisht njohja e ndërsjellët dhe pastaj të zgjidhen hallkat e tjera, në këto bisedime kërkon të tërheqë litarin nga ana e vet, të përfitojë deri në momentin e fundit dhe, nëse presidenca serbe po i zhvillon të gjitha bisedimet mbi bazën e një platforme të ngritur mbi mendimin akademik, shqiptarët, si palë fituese e një lufte dhe bashkërenduese e afërt e mendimit politik euroatlantik, është ende e ngritur mbi folklorizmin, inatet dhe ndasitë, të cilat, nëse do të bjerë qoftë edhe një hektar tokë, nuk do të ketë fitues dhe as të mundur.

Të mundur do të jemi të gjithë.

Të enjten  unë isha me Albin Kurtin. Ai është në të drejtën e tij historike. Për të tjerat, çdo gjë ka kohën e vet.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit