Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur në Itali, ku për pasojë ka ndërruar jetë një 43-vjeçar shqiptar, Roland Çizmja, teksa po transportonte një ekskavator në shpatin e Colletto Santuçi, Itali. Sipas mediave italiane ai u gjet në anën tjetër të rrugës me një plagë në kokë. Rolandi ishte i martuar dhe babai i tre fëmijëve, raporton italy.24.
Sipas raportimeve të policisë traktori ka qenë duke ecur buzë rrugës, kur ekskavatori i transportuar në pjesën e pasme është ngatërruar në degët e një peme. Burri është ngjitur në rimorkio dhe në përpjekje për të zhbllokuar eskavatorin mund të ketë humbur ekuilibrin, duke rënë nga pjesa e pasme e mjetit dhe duke përfunduar në kanalin e ujërave të zeza në anë të rrugës.
Po ashtu sipas deklaratave të pronarëve të kompanisë thuhet se punonjësi në atë moment nuk duhej të ishte në punë dhe se ata nuk ishin në dijeni se pse Rolandi kishte shkuar në punë.
“Nga ajo që mësuam sapo mbërrita në vend, punonjësi ynë kishte marrë ekskavatorin dhe po e transportonte, kur për shkak të një dege peme që kishte ngecur, ai zbriti nga traktori për ta zhbllokuar dhe ka rënë duke marrë një dëmtim në kokë. Vëllai im nuk është në gjendje të thotë asgjë për momentin, ne jemi tmerrësisht të tronditur nga ajo që ndodhi”, tha Rita Ceragioli, motra e Stefanos Ceragioli, pronar i kompanisë.