Një aksident ka ndodhur rreth orës 15:50 në aksin rrugor Pogradec-Lin, në afërsi të vendit të quajtur “Guri i Kuq” ku një motor është përplasur me një makinë.
Dyshohet se motori i drejtuar nga turistja italiane, një 31-vjeçare me inicialet E. R., ka dalë nga një rrugë dytësore dhe është përplasur me një automjet TIP “Benz” që drejtohej nga një 33-vjeçar me inicialet A. B.
Italiania mësohet se ka marrë dëmtime të shumta dhe ndodhet në spital në gjendje të rëndë shëndetësore.
Paraprakisht dyshohet se aksidenti ka ndodhur, si pasojë e prerjes së menjëhershme të rrugës nga drejtuesja e motomjetit, e cila ka qenë duke dalë me mjetin e saj nga pjesa buzë liqenit të Ohrit, në rrugë.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe nën drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen e rrethanave, dokumentimin e ngjarjes si dhe përcaktimin e shkaqeve të aksidentit.