Përplasjet e brendshme mes republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve për shpenzimet kanë bërë që në Shtetet e Bashkuara të rrezikohet mbyllja e qeverisë brenda 10 ditësh, duke krijuar pasiguri mes qindra mijëra punonjësve federalë dhe punonjësve me kontraktë, që do të prekeshin në rast të një situate të tillë.
Nëse Kongresi nuk është në gjendje të miratojë 12 projektligjet për ndarjen e fondeve që financojnë qeverinë, ose nuk bie dakord për një masë që siguron fonde të përkohshme, autoriteti i shumë agjencive federale për të shpenzuar para, do të përfundojë në mesnatën e 30 shtatorit.
Në thelb të mosmarrëveshjeve është vendimi i disa prej anëtarëve të vijës se ashpër në Dhomën e Përfaqësuesve për të hedhur poshtë një marrëveshje që Kryetari i kësaj dhomë, Kevin McCarthy negocioi në fillim të këtij viti me Presidentin Joe Biden, për të shmangur falimentimin për shkak të mospagimit të borxhit të vendit.
Një numër i vogël republikanësh në Dhomën e Përfaqësuesve duan të ulin shpenzimet nën shumën e rënë dakord në atë marrëveshje.
Ata po kërkojnë shkurtime të konsiderueshme të shpenzimeve të brendshme, si dhe në ndihmën që Shtetet e Bashkuara i kanë ofruar Ukrainës për luftën kundër agresionit rus.
Për shkak se Partia Republikane kontrollon Dhomës e Përfaqësuesve me një diferencë të ngushtë, me vetëm pak vota, do të mjaftonte mungesa e mbështetjes nga vetëm pak anëtarë, që zoti McCarthy të dështonte të siguronte shumicën e nevojshme, për të miratuar projekligjin mbi buxhetin.
Një mundësi do të ishte që zoti McCarthy të propozonte dhe miratonte projekligjet e ndarjes buxhetore me mbështetjen e demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, por anëtarë të vijës së ashpër në grupimin e tij politik mund ta shihnin një veprim të tillë si tradhti./VOA
Artikulli i plotë këtu.