Një aksident i rëndë ka ndodhur pasditen e kësaj të premte në qytetin e Korçës, ku një automjet ka përplasur një biçiklist te vijat e bardha.
Aksidenti ka ndodhur në qendër të qytetit, përpara Kishës së qytetit, ndërsa si pasojë e përplasjes së fortë, biçiklisti ka pësuar dëmtime të rënda dhe është dërguar për marrjen e ndihmës mjekësore në spitalin e qytetit.
Fillimisht ai ka marrë ndihmën e parë në vendin e ngjarjes, teksa ishte i shtrirë përtokë e më pas ka ardhur një automjet ambulance, që e ka marrë dhe e ka transportuar në spitalin rajonal të qytetit.
Por, fatkeqësisht ai nuk ka mundur t’i bëjë ballë plagëve të rënda dhe ka ndërruar jetë. Bëhet fjalë për shtetasin Muhamet Allisha, 79 vjeç.
Ndërkohë, drejtuesi i mjetit është ndaluar nga policia, e cila ka nisur hetimet përkatëse për zbardhjen e plotë të shkaqeve që çuan në këtë aksident.