Lulzim Basha dhe Ilir Meta kanë reaguar deri më tani nga sfera politike në Tiranë në lidhje me vrasjen e policit dhe sulmit ndaj efektivëve në Veri të Kosovës.
Basha shkruan në rrjete sociale se është i tronditur nga kjo ngjarje ndërsa i bën thirrje Beogradit që të dënojnë dhe të distancohen nga kjo ngjarje.
“I tronditur nga vrasja e punonjësit të Policisë së Kosovës dhe plagosja e një tjetër punonjësi ne Leposaviq. Mendimet dhe lutjet e mija janë me familjarët dhe kolegët e punonjësit që humbi jetën në krye të detyrës si dhe për daljen nga rreziku e shërimin e kolegut të tij të plagosur.
Në këtë çast kritik të betejës kundër krimit jemi në krah të punonjësve të Policisë së Kosovës dhe autoriteteve të vendit teksa punojnë për vënien e autorëve të kësaj ngjarje të rëndë para ligjit. Ju bëj thirrje autoriteteve të Beogradit të dënojnë dhe të distancohen prerazi nga kjo ngjarje e rëndë dhe nga gjuha e aktet destabilizuese,” shkruan Basha.
Ndërsa edhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka dënuar sulmin, ndërsa theksoi rëndësinë e sundimit të ligjit.
“Partia e Lirisë dënon sulmin kriminal ndaj Policisë së Kosovës në Leposaviq me pasojë vrasjen e një punonjësi policie dhe plagosjen e një tjetri.
Kjo ngjarje e rëndë dhe e përsëritur tregon domosdoshmërinë e sundimit të ligjit.
Mbështesim Policinë dhe autoritetet e Kosovës për të garantuar sigurinë publike dhe ndëshkuar autorët e kësaj ngjarje kriminale,” shkruan Meta.