Që nga lajmet e para për sulmin e armatosur ndaj policisë së Kosovës, më 24 shtator, në rrjetet sociale ka nisur një lloj lufte kibernetike me gjysmë-informacione.
Është aluduar se kush janë sulmuesit, cilat janë motivet e tyre dhe kush i mbështet, janë publikuar fotografi të rreme të lokacioneve dhe sulmuesve, si dhe janë postuar deklarata që nuk janë dhënë nga burime zyrtare dhe të verifikuara.
Dezinformata u përhapën nga të dyja anët, si në hapësirën digjitale të Kosovës, ashtu edhe në atë të Serbisë.
Ku ndodhi sulmi?
Fillimisht, media të shumta në Kosovë dhe llogari të ndryshme në rrjetet sociale raportuan gabimisht për vendndodhjen e sulmit.
U raportua disa herë se ngjarja ka ndodhur në Leposaviq – njërën nga katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.
Por, sulmi ka ndodhur në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, pak më shumë se 24 kilometra nga Leposaviqi.
Një postim në rrjetin social Facebook ka nxjerrë fotografi të armëve dhe gabimisht ka pretenduar se policia e Kosovës i ka sekuestruar ato në Leposaviq.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, akuzoi nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiq, se ka organizuar dhe marrë pjesë në sulmin e rreth tridhjetë personave të armatosur ndaj policisë së Kosovës, në fshatin Banjskë në veri, ku ka mbetur i vrarë polici Afrim Bunjaku dhe janë plagosur disa të tjerë.
Në përleshjet me policinë, tre sulmues mbetën po ashtu të vrarë.
Autoritetet kosovare akuzuan Serbinë për mbështetje të “terroristëve”, ndërsa, një ditë pas sulmit, policia publikoi detaje për origjinën dhe modelet e armëve të sekuestruara./REL
Analiza e plotë këtu.