Serbia do të hetojë ngjarjet që çuan në përleshje të armatosura në manastirin në Banjskë të Zveçanit, ngjarje për të cilën Kosova e fajëson Beogradin, tha presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, duke mohuar çdo përfshirje të Qeverisë serbe në këtë ngjarje.
Një grup i armatosur – që sipas Kosovës ishte i përbërë prej rreth 30 personash – sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë më 24 shtator, duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Policia më pas tha se në përleshje u vranë edhe tre sulmues.
Vuçiç i tha Reutersit se Beogradi dënon vrasjen e policit dhe shtoi se Serbia “do të nisë procedurat para trupave gjyqësorë” për të hetuar të dyshuarit.
“Se çfarë krimesh do të dyshohen, kjo u përket prokurorëve”, tha ai.
Vuçiç përsëriti pretendimin se një prej sulmueseve të vrarë është qëlluar në kokë nga Policia e Kosovës “nga një distancë prej një metër” pasi, sipas tij, ai ishte dorëzuar, duke e cilësuar këtë si “ekzekutim”.
Zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani, mohoi këto pretendime të Vuçiçit.
“Zyrtarët tanë kurrë nuk do të bënin diçka të tillë. Njërit prej të arrestuarve iu dha ndihma mjekësore në vendin ku u arrestua, me synim që t’i shpëtohej jeta, pasi ai ishte i plagosur”, tha ai./REL
Artikulli i plotë këtu.