Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore ka kaluar në filtrin e Kontrollit të Lartë të Shtetit që ka publikuar një raport me disa shkelje që janë konstatuar në këtë institucion që drejtohet nga Skënder Brataj. “5Pyetjet.al” publikon pjesë nga raporti me konstatimet e ekspertëve të institucionit që kontrollon se si dhe ku shkojnë lekët e taksapaguesve.
KLSH thotë se ka konstatuar shmangie të cilat kanë ndikuar në performancën financiare. Raporti flet për ekzagjërime. “Gjatë zhvillimit të procedurave të prokurimit specifikimet teknike janë të ekzagjëruara dhe jo në proporcion me objektin e kontratës dhe si dhe zbatimi dhe ndjekja e kontratës nuk kryhet si duhet nga grupet e marrjes në dorëzim dhe ndjekjes së kontratave”.
Po ku konkretisht? Po sjellin një nga rastet që ka gjetur KLSH, përcaktimin e fituesit për tenderin e këpucëve dhe shkeljet që janë konstatuar. “Nga shqyrtimi i dokumentacionit konstatohet se një pjesë e madhe e specifikimeve të uniformave janë tejet të detajuara, duke cituar një sërë variablash të cilat janë të ekzagjeruara për funksionin që do të kryejnë uniformat, të paargumentuara si dhe të vështira në momentin e vlerësimit nga Komisioni i vlerësimit të Ofertave dhe Grupi i marrjes në dorëzim. Gjithashtu gjatë hulumtimeve në internet dhe në treg mbi produktet me të njëjtat karakteristika, vihet re që çmimet e ofruara gjatë testimit të tregut janë të fryra.
Gjatë verifikimit të mostrave të sjellë për produktin “këpucë”, viti i prodhimit të tyre të shënuar ishte viti 2020, ndërkohë që procedura e prokurimit është realizuar në vitin 2021 ndërkohë ato supozohet që të prodhohen sipas specifikimet teknike dhe ekzistenca e tyre (viti 2020), përbën fakt për paracaktimin e operatorit ekonomik fitues” thotë raporti.
Tek tenderat është zbuluar edhe një tjetër manovër. “Ka copëzim të fondeve në 2 raste, në vitin 2022, duke shmangur procedurën e prokurimit, si më poshtë:
1.Shërbim telefonik EI PRI ISDN – me vlerë 985.000 lekë pa tvsh.
2. Shërbim interneti 2023 – me vlerë 470.000 lekë pa tvsh.
Sa më sipër, shërbimi i ngjashëm “Shërbim telefonie dhe interneti”, me të njëjtin operator ekonomik “A.”. Të dy procedurat së bashku rezultojnë në vlerën 1.455.000 Lekë pa TVSH, që tejkalojnë me 455.000 Lekë pragun e procedurës së prokurimit në vlerë të vogël.
Me tejkalimin e pragut të prokurimit në vlerë të vogël, QKUM duhet të kalojë në procedurën e kufijve të ulët monetar prokurimit.
Për arsyen e mësipërme procedurat e sipërcituara të prokurimit konsiderohen tejkalim i pragut të prokurimit në vlerë të vogël dhe QKUM duhej të kalonte në procedurën kufijve të ulët monetar të prokurimit, me qëllim ruajtjen e konkurrencës në prokurim” thuhet në dokument.
Gjithashtu Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore “ka programuar zëra shpenzimesh të cilët nuk i shërbejnë qëllimit dhe natyrës së aktivitetit të punës” thekson raporti.