Diplomati austriak, Wolfgang Petritsch ka reaguar së fundmi në lidhje me situatën në veri një javë pas sulmit ndaj policisë së Kosovës.
Gjatë fjalës së tij Petritsch është shprehur se Kosova aktualisht po përjeton krizën më të rrezikshme që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008-të.
Diplomati shtoi se tani duhet një përpjekje e re e Brukselit për të rikthyer të dyja palët drejt dialogut.
“Normalizimi është thelbësor, sepse do të krijonte parakushtet për përparim ekonomik. Kjo është ajo që njerëzit duan, jam i sigurt. Ka shumë qytetarë të rinj dhe të talentuar që lënë shtëpitë e tyre për të emigruar në vende më paqësore, si Austria, Gjermania dhe Zvicra. Por Evropa dëshiron të shohë prosperitet, jo konflikt në vendet e ish-Jugosllavisë.
Epoka e luftërave ka përfunduar. Tani duhet të rindërtojmë ekonominë dhe të garantojmë një jetë më të mirë për qytetarët,” u shpreh Petritsch.
“Ekziston një rrezik i tillë, por Brukseli dhe Uashingtoni janë të gatshëm të parandalojnë çdo përshkallëzim. Nuk duhet të kthehemi në luftërat e së kaluarës”, shtoi ai.