Pas sulmit terrorist në Banjskë, në veri të Kosovës, NATO ka miratuar dërgimin e forcave shtesë në Kosovë, nga kontingjenti i Britanisë së Madhe.
Politologu dhe analisti serb, Ognjen Gogiç thekson se NATO po dërgon forca shtesë, por kjo nuk po ndodh për shkak të kërkesës së palës serbe që KFOR-i të rrisë numrin e pjesëtarëve të tij dhe të kujdeset për sigurinë në veri të Kosovës, por për shkak të sjelljeve të Serbisë.
“Rritja e pranisë së KFOR-it sigurisht që do të ndodhë, por kjo nuk do të ndodhë për shkak të kërkesave të Serbisë, por për shkak të sjelljes së saj.
Një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare, e cila vendos për vendosjen e trupave të NATO-s në Kosovë, ka një pikëpamje të ndryshme për situatën e sigurisë në Kosovë nga Beogradi. Tani perceptohet se pala serbe ka potencial për të kërcënuar sigurinë në Kosovë.
Pa mëdyshje konsiderohet se fajtor për incidentin e armatosur në Banjskë është formacioni i armatosur i Milan Radoiçiçit,” thotë Gogiç.
“Konsiderohet se Beogradi është përgjegjës për situatën ose duke provokuar qëllimisht incidente ose duke dështuar të kontrollojë pjesën e shërbimeve të tij të sigurisë që e bëjnë këtë.
KFOR-i nuk do të marrë përsipër administrimin e veriut të Kosovës në vend të institucioneve të Kosovës, por do të mbështesë veprimet e tyre.
KFOR-i në të njëjtën kohë asnjëherë nuk e ka pasur në Kosovë atë rol që tani po kërkon Beogradi ta marrë në veri të Kosovës,” shton Gogiç.