Tre orë ka qëndruar sot në SPAK, kryetari në detyrë i bashkisë së Himarës, Jorgo Goro. E çoi aty një kallëzim që bëri i zgjedhuri në 14 Maj në këtë bashki, Fredi Beleri që sot ndodhet pas hekurave për blerje votash. Jorgo Goro pasi doli nga “kthetrat” e prokurorëve në SPAK nuk pranoi që të fliste gjatë. “Isha në SPAK si çdo qytetar për të dhënë shpjegime. Nuk mund të flas se për çfarë”, tha ai dhe u largua.
Goro u paraqit në ambientet e Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion pas denoncimit të bërë nga Fredi Beleri mbi konstatimet e KLSH-së për abuzim me tenderat. Beleri ngriti një padi në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ndaj ish-ministres së Jashtme, Olta Xhaçka, bashkëshortit të saj Artan Gaçi si dhe kreut të Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro. Padia është për pronat.
““Në AMTP në emër të Foto Pavllo Mehilli figuron e ndarë një parcelë në vendin Perivolo me nr e ngastrës 36/36/1 me sipërfaqe 5512 m2 e ndarë si tokë truall. Në Aktin e Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP) nuk mund të ndahej dhe ndalohej shprehimisht në referim dhe kuptim të Ligjit 7501 dt 19.07.1991 “Për Token”, ndarja e sipërfaqeve tokë truall.
Një ndarje e tillë është absolutisht e paligjshme, e pavërtetë dhe një nga provat se jemi përpara një AMTP-je të falsifikuar” thuhet në kallëzim e Belerit që çoi Goron në SPAK. Jorgo Goro vijon të jetë në detyrë për shkak se Fredi Beleri nuk është betuar ende, ndonëse ia doli të fitonte në zgjedhjet e 14 majit.