Ish-kryeministri Sali Berisha kryefjalë të konferencës së sotme për mediat kishte sërish zgjedhjet e 14 Majit dhe librin me shkeljet që ka konstatuar, të cilat i evidentoi edhe njëherë pas daljes së raportit të OSBE-së. Zgjidhja? Për Berishën nuk ka asnjë rrugë tjetër, veç protestave.
“Ky raport ka një mesazh për shqiptarët: me Edi Ramën nuk ka zgjedhje, por ka farsë.
Akti i djeshëm në parlament përbënte atentatin më të shëmtuar të narkoshtetit ndaj pluralizmit parlamentar në 32 vite.
Edi Rama tregoi se nuk pranon pluralitetin e vërtetë në parlament dhe në një akt të pashembullt, në mënyrë absolute në asnjë vend tjetër pluralist, merr përsipër t’i caktojë opozitës, përfaqësuesin që don ai.
Siç bëri në zgjedhjet e 14 majit me kryetarin e koalicionit.
Të gjitha këto janë çështje thelbësore të cilave opozita duhet t’u përgjigjet dhe do u përgjigjet.
Thelbi është me protesta të fuqishme dhe përpjekje të tjera komplekse.
Me Edi Ramën nuk ka zgjedhje, nuk ka pluralizëm parlamentar. Ne do i mbrojmë ato.
600 mijë qytetarë shqiptarë, me të gjithë këto faktorë që numërohen në këtë raport, nuk u mposhtën, nuk iu nënshtruan diktatit të qeverisë, por votuan kundër saj.
Opozita do punojë fort me këta 600 mijë idealistë që të luftojmë dhe sakrifikojmë për rikthimin e votës së lirë në Shqipëri” tha ai.