Bashkimi Evropian pret nga Serbia jo vetëm bashkëpunim të plotë, por edhe pa kushte gjatë hetimeve për zbardhjen e plotë të sulmeve që ndodhën në Banjskë, në veri të Kosovës më 24 shtator, sulme të cilat BE-ja i quajti terroriste.
Në këtë rast, askush nuk duhet të fshihet prapa qëndrimeve rreth statusit si pretekst. Këtë e ka thënë të hënën, në një konferencë me gazetarë në Bruksel zëdhënësi i BE-së për çështje të jashtme dhe siguri, Peter Stano, duke iu përgjigjur pyetjeve se me kë duhet të bashkëpunojë Serbia në hetime pasi Beogradi thotë se nuk e njeh Kosovën. Beogradi po ashtu ka deklaruar se nuk do ta ekstradojë në Kosovë, Milan Radoiçiqin, i cili e ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Banjskë.
Rezultati i hetimeve po pritet në BE edhe për të sqaruar nëse do të ketë masa ndëshkuese ndaj Serbisë. Një numër i madh shtetesh kanë kërkuar që të vendosen masa ndaj Serbisë, por Komisioni Evropian dhe disa vende anëtare po hezitojnë me arsyetimin se “duhet pritur përfundimin e hetimeve për të parë se a ka pasur lidhje Serbia me këtë akt”.
“Pritjet tona nga Serbia janë jo vetëm që të ketë nga ajo bashkëpunim të plotë, por të ketë bashkëpunim pa kushte. Nëse ka vullnet, ka edhe rrugë dhe askush nuk duhet të fshihet prapa formaliteteve si njohja e palës tjetër apo mosnjohja. Ka shumë rrugë se si mund t’i shkëmbeni evidencat, si mund të bashkëpunoni dhe si mund të kontribuoni plotësisht në hetime”, ka thënë Stano. Ai ka përsëritur disa herë se “kjo është një çështje shumë serioze dhe do të ketë pasoja pasi të kryhen hetimet”.
Vuçiç: Radoiçiçin e kisha të afërt, jo mik! S’e ekstradoj në Kosovë