Ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett tha në një intervistë për “Euractiv” se gjatë 15-20 viteve të fundit të përpjekjeve për të ndërmjetësuar marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë, ekzistonte një lloj tendence për t’u frustruar me Kosovën dhe për ta trajtuar atë si “fëmijë të padisiplinuar, që duhet të bëjë siç është thënë”.
“Kjo, e kombinuar me idenë se Serbia është më e rëndësishmja në rajon dhe ne duhet ta fusim në vathën evropiane dhe jo ta shtyjmë në krahët e Rusisë dhe Kinës, nuk ka qenë qasja më e mençur,” tha ish-ambasadori.
“Unë mendoj se Serbia qartazi është e futur thellë në krahët e Rusisë dhe Kinës. Pra, çfarëdo përpjekjesh që ndërkombëtarët kanë ndërmarrë gjatë gjithë këtyre viteve për të tërhequr Beogradin drejt Perëndimit nuk ka treguar ende ndonjë rezultat,” tha ai.
Në një kohë kur Rusia vazhdon të përpiqet në mënyrë aktive për të destabilizuar Ballkanin Perëndimor, Kosnett tha se do të ishte një manifestim i rëndësishëm i solidaritetit evropian dhe perëndimor të “njohësh realitetin që Kosova ekziston” dhe faktin “që është një vend”.
“Mendoj se kjo do të ishte kohë e mirë për SHBA-në dhe Bashkimin Evropian që t’i bëjnë një thirrje të fortë atyre vendeve evropiane që janë anëtare të NATO-s që nuk e kanë njohur Kosovën që ta bëjnë këtë,” tha ndër të tjera Kosnett.