Korniza e Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF) që koordinon grantet dhe kreditë e donatorëve, kryesisht Bashkimit Europian dhe Bankës Botërore, po koordinon financimin e segmentit të parë të autostradës Adriatiko-Joniane, Murriqan – Lezhë, pjesë e rrjetit kryesor rrugor europian (TEN-T).
Sipas të dhënave zyrtare nga WBIF, autostrada Murriqan – Lezhë (Balldren) do të ketë gjatësi prej 41 km shtrirje të re dhe dyfishim të autostradës ekzistuese. Janë parashikuar 8 kryqëzime, 23 nënkalime dhe 8 ura (gjatësia totale 1210 m).
Kategoria e propozuar e projektimit është “A”, me shpejtësi projektimi prej 120 km/h. Për më tepër, 24.1 km rrugë dytësore dhe shërbimi do të ndërtohen për të ndihmuar aktivitetet bujqësore, industriale dhe të tjera përgjatë rrugës kryesore dhe për të siguruar komunikimin midis dy anëve të autostradës.
Kostoja totale e projektit vlerësohet 255 milionë euro, nga të cilat 128 milionë euro janë kredi dhe për 100 milionë euro është aplikuar për grant nga qeveria shqiptare në WBIF.
Për kredinë është ofruar Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), me vlerën totale 128 milionë euro, ndërsa qeveria shqiptare do të kontribuojë me 30,3 milionë euro.
Afati i përfundimit teë këtij aksi të rëndësishëm për BE është planifikuar viti 2029.
WBIF ka dhënë një grant prej 1,6 milionë eurosh i cili financon përgatitjen e një Vlerësimi të Ndikimit Mjedisor dhe Social (VNMS), një Projekti Paraprak dhe analizë për të përditësuar kosto-përfitimet seksionin e autostradës Murriqan- Balldren.
Korridori Rrugor Adriatik-Jonian (AIC) është zgjerimi tregues i Korridorit të Rrjetit Bërthamë Mesdhetar TEN-T që lidh Europën qendrore dhe veriore me gadishullin Ballkanik, nga Trieste në Itali deri në Kalamatë në Greqi./Monitor
Artikulli i plotë këtu.