-sidi education-spot_img
13.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Enver Robelli: Solidaritet me viktimat, përbuzje ndaj krimeve dhe dënim i terroristëve

Kryesoret

Krimet e Hamasit, viktimat në Gaza si pasojë e sulmeve izraelite, dilemat morale të njerëzve racionalë dhe mungesa totale e dilemave te fanatikët (përfshirë edhe ata në rrugët e Prishtinës).

Nuk ishte befasi e madhe që një grup njerëzish marshuan rrugëve të Prishtinës me qëllim që, siç thanë, të solidarizohen me viktimat e sulmeve izraelite në Gaza. Kjo turmë do të ishte e besueshme në sytë e publikut sikur në krye të saj të mos qëndronin militantë fetarë, të cilët veten e shohin si pjesë të “ymetit global mysliman” dhe përkatësinë etnike shqiptare më shumë si rastësi. Në plan të parë për këta njerëz është feja, andaj ndonjëri prej tyre para një dekade nuk ka përtuar të shkojë deri në Siri për të luftuar në radhët e ISIS-it, bandës terroriste islamike. Atëbotë shkuarjen e fanatikëve shqiptarë në Siri pak a shumë hapur e mbështesnin edhe imamë nga viset shqiptare në Ballkan.

Të solidarizohesh me viktimat në Gaza e të mos përmendësh fare viktimat e Hamasit nuk është solidaritet, por cinizëm dhe poshtërim i viktimave. Këtë e bëjnë ata që janë të mllefosur vetëm ndaj vrasjeve në Gaza, ndërsa krimet e Hamasit i injorojnë thuajse janë goditje rrufeje. Krimet që kreu Hamasi ndaj mbi 1300 njerëzve të pafajshëm janë masakra më e madhe ndaj hebrenjve pas Luftës së Dytë Botërore. Në atë luftë mbi 6 milionë hebrenj u vranë kryesisht në kampe të shfarosjes dhe në kuadër të një sistemi industrial të vrasjes të etabluar nga regjimi nazist i kancelarit gjerman Adolf Hitler.

Pasi një raketë shpërtheu në oborrin e një spitali në Gaza, fajtori u gjet menjëherë: ushtria e urryer izraelite. Por dëshmitë e prezantuara deri më tani – jo vetëm nga pala izraelite, por edhe nga shërbimet sekrete amerikane dhe franceze – tregojnë se, sipas të gjitha gjasave, raketa që shpërtheu në oborrin e spitalit në Gaza ishte shkrepur nga Xhihadi Islamik, një organizatë tjetër terroriste krahas Hamasit, e cila operon në Gaza. Raketa ose e huqi cakun në Izrael dhe ra në Gaza, ose qëllimisht u sulmua spitali për të prodhuar pamje të cilat mllefosin masat në botën arabe. Hamasi është aq i paskrupullt për të bërë edhe hata të tilla: të sakrifikojë civilët palestinezë për të korrur një fitore në frontin medial e publik. Ndonëse faktet e prezantuara deri më tani tregojnë se Izraeli nuk ka gisht në sulmin ndaj spitalit, Bashkësia Islame e Kosovës, duke iu referuar këtij sulmi, bëri thirrje të parandalohet Holokausti në Gaza. Kjo deklaratë e kësaj bashkësie fetare tregon se krerëve të saj u mungojnë dija elementare historike dhe respekti minimal për viktimat izraelite. Ato nuk përmenden fare në mënyrë eksplicite. As nuk dënohet në mënyrë eksplicite terrori i Hamasit. Kësisoj, Bashkësia Islame e Kosovës tregon se drejtohet prej tyxharëve të së vërtetës.

Nuk është vështirë të jesh kundër terrorizimit dhe njëkohësisht në anën e viktimave. Duhet vetëm të kesh kompas moral. Mjafton të lexosh, për shembull, Nicholas Kristof-in, i cili në kolumnen e tij në “New York Times”, duke iu drejtuar Izraelit, shkruan se nuk duhet t’i vrasim fëmijët e Gazës duke u përpjekur t’i mbrojmë fëmijët e Izraelit. Deri më tani supozohet se janë vrarë rreth 1500 fëmijë në Gaza. Mund të lexosh edhe Thomas L. Friedman, edhe ky kolumnist i famshëm i “New York Times”, i cili shkruan se Izraeli do të bënte një gabim të tmerrshëm nëse hyn në Gaza pa pasur një plan si të dilet nga aty. Ai kërkon nga Qeveria amerikane e presidentit Joe Biden që t’ia bëjë të qartë Qeverisë izraelite se vetëm një luftë kundër terroristëve të Hamasit në Gaza nuk do t’i sjellë Izraelit asgjë. Duhet gatishmëri e Izraelit për të përkrahur krijimin e një shteti palestinez, krahas atij hebraik. Dhe gjithsesi duhet distancim i Izraelit nga racistët në Qeverinë e Benjamin Netanjahut dhe nga kolonistët e armatosur e agresivë në Bregun Perëndimor.

Por të mendosh pak më gjerë nuk ka qenë kurrë shkathtësi e fanatikëve fetarë. Ata botën e shikojnë në kategoritë bardh e zi, i keqi andej, i miri këndej.

Konflikti izraelito-palestinez është ndër më të ndërlikuarit. Në përgjithësi secila palë pretendon për vete statusin e viktimës dhe te tjetri sheh vetëm keqbërësin dhe pushtuesin. Një shikim në histori, duke u bazuar në literaturë serioze, ofron një pamje të diferencuar. Për shembull: ndërsa hebrenjtë që më 1925 themeluan Universitetin Hebraik në Jerusalem, i cili në vitet në vijim do të vendoste themelet e kulturës dhe shkencës së komunitetit (e më vonë shtetit) hebraik në Lindjen e Afërt (si parakusht për një elitë shtetformuese), palestinezët arabë, fatkeqësisht si shumë popuj të sunduar nga Perandoria Osmane, nuk patën elitë intelektuale dhe politike vizionare.

Shpesh në mënyrë paushalle theksohet se hebrenjtë ua kanë marrë tokën palestinezëve. Deri në mars të vitit 1936, 52,6 për qind e pronave që iu shitën cionistëve (izraelitëve) u takonin arabëve jopalestinezë. Meqë mungonte vetëdija kombëtare arabe, këta pronarë tokën e shitën për qëllime përfitimi. Kjo nuk domethënë se po arsyetojmë këtu konfiskimet e pronave palestineze nga hebrenjtë, të cilat kanë ndodhur, por si në çdo konflikt të ndërlikuar edhe e vërteta është e ndërlikuar.

Në vitet 1930, për shembull, lider i palestinezëve ishte myftiu i Jerusalemit. Mohamed Amin al-Huseini gjatë Luftës së Dytë Botërore u prit nga Adolf Hitleri në Berlin. Al-Huseini është shembull eklatant se si një lider injorant fetar keqpërdoret nga nazistët. Kur erdhi në Berlin, nazistët e vendosën në një vilë, të cilën administrata naziste e kishte konfiskuar nga një familje hebraike. Al-Huseini u prit nga Hitleri më 28 nëntor 1941. Prijësi nazist refuzoi t’ia jepte dorën kreut fetar të palestinezëve, nuk i dha mbështetje për themelimin e shtetit palestinez dhe nuk pranoi të pinte kafe me myftiun sipas traditës arabe. Hitleri nuk e priti kurrë më në audiencë Mohamed Amin al-Huseinin.

Përkundër poshtërimit që ia bëri Hitleri, Al-Huseini i shërbeu propagandës naziste. Madje nazistët e dërguan për vizitë në Bosnjë për të mobilizuar myslimanët në përkrahje të Hitlerit. Në një fotografi Al-Huseini shihet duke parakaluar divizionin pronazist boshnjak (mysliman) “Hanxhar”. Në këtë divizion luftuan edhe disa myslimanë shqiptarë. Ata përbënin më vonë bazën e themelimit të divizionit “Skanderbeg”. Heinrich Himmleri, njëri nga krerët nazistë, i përshkroi shqiptarët në divizionin “Hanxhar” si të motivuar dhe të disiplinuar. Por oficerët nazistë më vonë i përshkruan shqiptarët e divizionit “Skanderbeg” si të padisiplinuar, dembelë dhe të etur për të pasur armë, por jo për të luftuar. Komandanti gjerman i divizionit “Skanderbeg” u ankua se Shqipëria ishte mjaft “primitive” dhe më “turke” se vetë Turqia, “duke filluar nga shamia e grave”. “Trimëria e shqiptarit”, nënvizonte oficeri nazist, është mit, përrallë. “Me një granatahedhës ti mund ta ndjekësh atë praktikisht në çdo cep të botës. Kur sulmon, ai shkon vetëm deri aty ku gjen diçka për të vjedhur apo plaçkitur”. Këto fjalë tregojnë se sa raciste ishte administrata naziste ndaj popujve të tjerë që i konsideronte të prapambetur apo kulturalisht të pavlerë.

Gjatë vizitës në Kroaci dhe në Bosnjë në prill 1943, imami palestinez Al-Huesini vizitoi disa qytete, mes tyre Zagrebin dhe Sarajevën, të sunduar nga ustashët, vasalët kroatë të nazistëve gjermanë. Shtypi mysliman i Sarajevës e lavdëroi Al-Huseinin si mbrojtës të myslimanëve. Në vjeshtë të vitit 1943, gazeta naziste “Völkischer Beobachter” njoftoi se myftiu i Jerusalemit u kishte dhuruar myslimanëve të Ballkanit 15 mijë lira. Gjatë vizitës në Ballkan, Al-Huseini u takua me Ante Paveliqin, kreun e ustashëve kroatë, dhe me zyrtarë gjermanë e italianë. Në Sarajevë, Al-Huseini takoi krerët fetarë nga Bosnja dhe delegacione nga Sanxhaku dhe Shqipëria. Duke iu drejtuar myslimanëve të Ballkanit, ai tha se partizanët e paguar nga Londra dhe Moska po përdhosnin xhamitë – deklaratë që në absolutizmin e saj qe një gënjeshtër e madhe. Gjatë një vizite në Xhaminë Gazi-Husrev-Beg në Sarajevë, Al-Huseini mbajti një fjalim emocional dhe popullist mbi vuajtjet e myslimanëve. Të pranishmit filluan të qajnë.

Nga fundi i Luftës së Dytë Botërore politikani shqiptar (dhe mysliman) Bedri Pejani iu lut myftiut të Jerusalemit të ndihmojë në themelimin e një shteti mysliman në Ballkan, i cili do të përbëhej nga Kosova, Sanxhaku, Bosnjë-Hercegovina dhe Shqipëria. Nazistët e hodhën poshtë këtë ambicie.

Ky kapitull i historisë palestineze (e pjesërisht edhe shqiptare e ballkanike) tregon se sa e rëndësishme është që shoqëritë të zgjedhin udhëheqës politikë të mençur, të aftë për aleanca strategjike dhe kundërshtarë të ideologjive vrastare dhe humbëse. Kur një shoqëri përfaqësohet nga fanatikët fetarë, nga injorantët politikë dhe popullistët, rezultati është katastrofal./ Koha.net

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit