Guvernatorja e Meinit në Shtetet e Bashkuara, Janet Mills, ka thënë se 18 persona janë vrarë dhe 13 janë plagosur, si pasojë e sulmeve me armë zjarri në mesnatën e së enjtes.
Një burrë ka shtënë me armë zjarri dhe i ka vrarë viktimat në një sallë të boullingut dhe në një restorant në Leviston, dhe më pas ka ikur.
Autoritetet kanë nisur kërkime masive për ta gjetur atë dhe u kanë kërkuar banorëve që të qëndrojnë nëpër shtëpitë e tyre.
Mills ka thënë se i dyshuari është Robert Card, i cili konsiderohet i armatosur dhe i rrezikshëm, andaj autoritetet kanë kërkuar që t’i qëndrojnë larg, nëse e shohin.
Policia e ka identifikuar Card si 40-vjeçar, person me interes për këtë sulm në Leviston. Ai është thënë se ka qenë instruktor armësh në forcën rezervë të ushtrisë amerikane.
Sipas informacioneve të policisë, Card ka qenë i shtruar për trajtim për dy javë në një qendër të shëndetit mendor, pa dhënë hollësi për llojin e trajtimit që ka marrë.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka biseduar gjatë ditës me guvernatoren Mills, si dhe me anëtarët e Senatit dhe të Dhomës së Përfaqësuesve, duke iu ofruar atyre “mbështetje të plotë federale pas këtij sulmi të tmerrshëm”, ka thënë Shtëpia e Bardhë.
Në Mein nuk kërkohet leje për armëmbajtje dhe ky shtet e ka një kulturë të moçme të armëmbajtjes që ndërlidhet me traditat e tij për gjueti dhe për qitje sportive./REL