Paraditen e sotme në orën 10:00 do të nisë në Gjykatën e Posaçme në ditën e tretë seanca për dy masat e sigurisë për Sali Berisha.
Ditën e djeshme avokatët e tij, Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi kërkuan që të përjashtohet gjyqtarja Irena Gjoka nga shqyrtimi i çështjes dhe më pas braktisën seancën.
Gjykata nuk u step, por i caktoi një avokat kryesisht, Artan Simonin.
Por një status në Facebook tre ditë më parë i këtij të fundit bëri që prokuroria ta largojë dhe të caktojë një tjetër duke e shtyrë seancën për sot.
Dy avokatët e rinj të zgjedhur kryesisht nga shteti janë Jalldiz Kastrati dhe Rabije Cenalia.
Në dosjen “Partizani” Jamarbër Malltezi akuzohet për “korrupsion pasiv” dhe “pastrim parash”, ndërsa Sali Berisha vetëm për “korrupsion pasiv”.
Ndërtuesi Fatmir Bektashi akuzohet për ‘korrupsion aktiv’ dhe ‘pastrim parash’.
GJKKO vendosi të lërë në burg Jamarbër Malltezin, dhëndrin e Sali Berishës, si edhe detyrim paraqitjeje për ndërtuesin Fatmir Bektashi.